“Të kemi kujdes në edukimin e gjeneratave të reja se në duart e tyre do të mbesin fëmijët tanë ”
Këto mësime janë universale të cilat ofrojnë mençuri që mund t’i udhëheqin mësimëdhënësit në relacionet e tyre me studentët. Këto vlera sigurojnë një kornizë të fortë etike dhe empatike për procesin e mësimdhënies për mësimdhënësit:
1. Autenticiteti
Respektoni individualitetin, sfondin kulturor dhe mënyrën e të mësuarit të secilit student. Krijoni një mjedis gjithëpërfshirës ku çdo student të ndihet i vlerësuar dhe i dëgjuar.
2. Empatia
Tregoni empati dhe kujdes për studentët. Nxitini ata të rriten intelektualisht në një atmosferë mbështetëse ku ndihen të pranuar dhe të vlerësuar për atë që janë.
3. Guximi
Kini guximin të sfidoni studentët duke i mbështetur në vështirësitë e tyre. Inkurajoni ata të ndërmarrin iniciativa në mësimin dhe tejkalimin e sfidave, duke e ditur se gabimet janë pjesë e procesit mësimor.
4. Ndershmëria
Jini transparent dhe të sinqertë me studentët në relacionet, pritëshmëritë, kontributet dhe sanksionimet ndaj tyre. Krijoni një mjedis besimi ku studentët ndihen rehat të përgjigjen me ndershmëri edhe kur ju jipet mundësia të kopjojnë.
Ashtu si thuhet se; më mirë një dështim me meritë se sa një sukses i pamerituar.
5. Buzëqeshja
Përshkruani konfidencialitetin dhe besueshmërinë tuaj në buzëqeshje, butësi, elegancë dhe pastërti spirituale, intelektuale dhe pedagogjike. Dënim i madh është për studentët kur përballen me një mësimdhënës arrogant, tekanjoz, të vrenjtur dhe oportunist.
6. E vërteta është misioni i shenjtë i mësimdhënies
Përpiquni për njohuri të sakta dhe të ndershme dhe inkurajoni studentët që të kërkojnë të vërtetën në mësimin e tyre, të pranojnë dhe zbatojnë atë edhe kur rrethanat e jetës ua kërkojnë të kundërtën.
7. Mençuria, dhunti unikate
Përdorni njohuritë empirike për të udhëhequr studentët, por edhe për t’i inkurajuar ata të zhvillojnë mençurinë e tyre unikate. Promovoni të menduarit kritik, reflektimin dhe aftësitë vendimmarrëse.
Duke u përpjekur për të zbatuar këto mësime në praktikën e tyre, mësimdhënësit mund të krijojnë një mjedis mësimi dhe studimi që promovon jo vetëm suksesin akademik, por edhe të sigurojnë suksesin personal dhe social te studentët e tyre.
Kështu do të garantojmë një pasuri intelektuale dhe ndërgjegje kolektive e cila do të jetë burim i pandalur i paqes shoqërore dhe mbijetesës nacionale.
Dr. Rrahman FERIZI