Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë dhe në lansimin e Agjendës për Reforma Evropiane, ku ishte i pranishëm edhe komisioneri Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.
Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në këtë ngjarje.
Jemi posaçërisht të nderuar që Komisioneri Hahn ka zgjedhur pikërisht Kosovën si vendin e parë për ta vizituar pas publikimit të dokumentit për politika të zgjerimit dhe raportit për Kosovën. Këtë e kuptojmë si një afirmim të faktit që Kosova ka vëmendjen e Institucioneve të BE-së.
Sot paraprakisht pata një takim me komisionerin Hahn ku diskutuam një sërë çështjesh të ndërlidhura me proceset e integrimit evropian, duke reflektuar edhe për rezultatet e raportit të fundit.
E ardhmja evropiane e Kosovës është e vetmja alternativë. Kosova refuzon izolimin përmes përcaktimit të saj të qartë për ndërtimin e një shoqërie demokratike, me vlera evropiane, një vendi të zhvilluar ekonomikisht në të cilin vepron shteti i së drejtës dhe barazia qytetare.
Fakti se vitin e fundit kemi arritur progres në forcimin e shtetit ligjor dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, nuk na krijon vetëkënaqësi por përgjegjësi dhe bindje se në këtë fushë mund dhe duhet të bëjmë edhe më shumë.
Fakti se në vitin 2015 kemi arritur rritje ekonomike prej 4% dhe se këtë vit presim ta përfundojmë me mbi 4.5% flet për politika të qëndrueshme ekonomike, të bazuara në vlera të tregut, në reforma që promovojnë stabilitet makroekonomik dhe stabilitet buxhetor. Bartës të këtij zhvillimi janë bizneset ndërkaq promovues të demokracisë janë qytetarët e Kosovës.
Fakti se me opozitën sot dialogun e zhvillojmë brenda Parlamentit të Republikës së Kosovës, flet qartë se oferta e opozitës duhet të jetë alternativa politike dhe jo dhuna politike. Shpresoj se edhe Lista Serbe së shpejti do ta kuptoj se ata kanë marrë mandatin të përfaqësojnë interesat e serbëve të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës, se këtë mandat e kanë marrë nga qytetarët e Kosovës dhe se ai duhet të jetë i pandikueshëm dhe jashtë involvimit të interesave dhe politikave ditore të Beogradit.
Kosova është përcaktuar për dialog me Serbinë jo vetëm për të normalizuar marrëdhëniet me këtë vend, por për ti kontribuar në mënyrë afatgjate paqes dhe stabilitetit në rajon. Kosova po prin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rajon, jo se këtë mision dhe përgjegjësi ia ka caktuar dikush tjetër, por se e ajo Evropën e konsideron shtëpi të veten, në të cilën duhet të jetojmë në paqe dhe siguri.
Qytetarët e Kosovës kërkojnë përgjegjësi nga ne që të hapim dyert e BE-së, të sigurojmë lëvizje të lirë në vendet e Schengenit dhe të bëhemi pjesë e familjes evropiane. Ata nuk meritojnë të izolohen dhe të mbesin në fatin e përplasjeve me rrymat, sektet e kulturat, të cilave ata nuk u përkasin dhe s’kanë asgjë të përbashkët me to. Ne dëshirojmë të jemi në Evropë dhe që Evropa të jetë në Kosovë.
Të nderur të pranishëm,
Ne të gjithë së bashku sot, do të shfrytëzojmë këtë takim për të lansuar një nismë, sa të re aq edhe të natyrshme, Agjendën e Reformave Evropiane, për të adresuar kërkesa të vazhdueshme në rrugën e integrimit evropian të Kosovës.
Gjatë vizitës suaj në maj të këtij viti, me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit së bashku kemi diskutuar për faktin se është hapur ky kapitull i ri në marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE, dhe ne duhet të dëshmojmë përkushtim dhe rezultate në zbatimin e obligimeve dhe reformave.
Pas nënshkrimit të MSA-së, Kosova është në një pozicion tjetër me BE-në, si në aspektin e mbështetjes politike dhe financiare, po ashtu në atë të detyrimeve të cilat ne duhet zbatuar dhe duhet implementuar.
Është ky një proces i cili kërkon që ne të kemi një sistem të dizajnuar bashkërisht me renditje të prioriteteve për një numër të reformave të cilat do të kenë role shumëdimensionale dhe do të siguronin një portfolio të diversifikueshme zhvillimore, ekonomike dhe sociale.
Fjala është pra për një gërshetim të objektivave por edhe të masave ditore që sigurojnë zhvillim ekonomik dhe social, rritje ekonomike dhe punësim, që rezultojnë me përmirësim të standardit të jetës së qytetarëve por të ndërlidhura me hapa konkret shumëdimensional, politik dhe social në zbatimin e kontratës me BE-në, përkatësisht Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Prandaj, kjo Agjendë e Reformave Evropiane, do të përcillet gjatë gjithë kohës me dialogun e rregullt të nivelit të lartë, Kosovë-BE.
Për këto arsye, në konsultim me të gjithë akterët vendor dhe ndërkombëtar kemi hartuar këtë Agjendë të Reformave Evropiane, të cilën e kemi aprovuar gjatë kësaj jave në Qeveri, e shoqëruar me një plan të veprimit për këto reforma. Edhe përmes kësaj agjende, jemi përpjekur që sentimentine thellë të përkatësisë së Kosovës për procesin e integrimit evropian ta përkthejmë në procese konkrete që janë me përfitime të ndërsjella si për BE-në ashtu edhe për Republikën e Kosovës.
Ne jemi përkujdesur që të dizajnojmë këtë Agjendë në mënyrë që të fuqizojmë dinamikën e reformave të fokusuar në 3 fusha kryesore: 1). Sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mire; 2). Ekonominë e tregut dhe konkurueshmërinë; 3). Edukimin dhe punësimin.
Gjatë prezantimit nga zëvendëskryeministri i parë, z. Hajredin Kuçi, sigurisht se do të shpalosen politikat dhe veprimet tona në këto fusha.
Unë jam i vetëdijshëm për pritjet që i ka Komisioni Evropian për implementimin e kësaj Agjende të Reformave Evropiane; ashtu siç jam i vetëdijshëm për interesin e lartë që e kanë qytetarët tanë që të realizohen të arritura më të mëdha në këto fusha të fokusuara.
Dua të shtoj se marrëdhëniet tona dhe bashkëpunimi me Zyrën e BE-së në Kosovë, sikurse edhe me përfaqësuesen e BE-së janë të nivelit shumë të lartë, prandaj edhe shumë të dobishme për vendin tonë.
Rezultatet tona varen nga sinergjia të cilën ne do të arrijmë, jo vetëm si shoqëri Kosovare por edhe nga pritshmëritë që i kemi neve nga Bashkimi Evropian – nga Brukseli.
Përtej vënies së kushteve, ne presim më shumë përkrahje konkrete nga BE-ja. Besojmë fuqishëm se të gjithë e kanë kuptuar se BE-ja nuk ka nevojë të mbrohet nga Kosova, sepse më shumë se një e katërta e kosovarëve sot jetojnë dhe punojnë në vendet e BE-së dhe ata nuk dallojnë nga qytetarët e tjerë në asnjë aspekt. Nuk dallojmë as ne që jetojmë këtu dhe që e konsiderojmë veten evropianë por vazhdojmë të jemi akoma të izoluar nga Evropa, gjithsesi jo vetëm me fajin tonë.
Shpresojmë se këtë situatë do ta kapërcejmë, do të jemi shumë më afër Bashkimit Evropian, dhe bashkërisht do të punojmë në një Agjendë e cila është e dobishmërisë reciproke.