65 pacientë me COVID-19 po trajtohen në Spitalin e Pejës, 14 në gjendje të rëndë

Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës janë duke u trajtuar 65 pacientë me COVID-19, derisa 14 prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Kurse gjashtë pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit, ka njoftuar Spitali përmes faqes në Facebook.

“Aktualisht po trajtohen 65 pacientë me Covid-19. Sa i përket gjendjes së pacientëve, 2 janë në respiratorë, 45 pacientë janë në oksigjeno terapi dhe nga këta 14 pacientë janë në gjendje më të rëndë”, thuhet në njoftim.

Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 228 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësor.

“19 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm. 5 lindje kanë qenë gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 2 lindje normale dhe 3 me prerje cezariane. Kanë lindur 5 foshnje, të gjithë të gjinisë mashkullore. 216 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 2,904 analiza, ndërsa janë kryer 4 operacione”, thuhet në njoftim.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 133 shërbime radiologjike, dhe prej tyre 97 rëntgena, 21 EHO dhe 15 CT-ja.