6 orë protestë, studentët kthehen sërish sot në shesh

Studentët e kanë mbyllur protestën për këtë të premte në orën 16:30, duke paralajmëruar se do të dalin sërish sot.

Ata qëndruan për 6 orë me radhë para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar plotësimin e tre kërkesave të tjera për të cilat nuk kanë marrë zgjidhje.

Për të shtunën që përkon dhe me datën 8 dhjetor, Ditën e Rinisë, mbledhja e studentëve do të nisë nga Korpusi në orë 09:30 për të marshuar më pas drejt Ministrisë së Arsimit.

“U bëjmë thirrje të gjithë studentëve të Tiranës, gjithë gjimnazistëve, qytetarëve të Tiranës të bashkohen tek ne”. U shprehën ata një ditë më parë duke kërkuar nga politika të qëndrojë larg tyre.

Ashtu si ditët e tjera, studentët nuk ikën pa pastruar mbeturinat e mbetura pas protestës.

Një nga thirrjet që është bërë gjerësisht në protestën e djeshme është mbajtja larg e forumeve politike.

Shumë prej studentëve e kanë deklaruar dhe më herët që protesta e tyre lidhet me kushtet ekonomike dhe sociale të tyre dhe nuk ka asnjë ngjyrim partiak.

”Jo politikë, jo politikë”, janë koret e përdorura në masë nga ana e studentëve që janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit. ”Do të kërkojmë dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe më pas do të hyjmë në grevë urie”, është shprehur nga nga studentët e Fakultetit Juridik./Top Channel