Historik ishte momenti kur në Maratonën e Barcelonës për herë të parë një burrë me 76% aftësi të kufizuara kaloi vijën e finishit.
32 -vjeçari Alex Roca, me paralizë cerebrale, përfundoi maratonën prej 5 orësh e 50 minuta, duke përmbushur kështu një ëndërr të madhe.
Spanjolli u diagnostikua me encefalit viral kur ishte vetëm 6 muajsh, por kjo nuk e pengoi atë të vraponte në distanca të gjata.
Sipas mediave të huaja, Alex ka bërë stërvitje prej shumë vitesh për të arritur këtë ditë.
Këtë vit ai kishte përfunduar edhe gjysmëmaratonën e Barcelonës, ku kishte vendosur një rekord personal prej 2:38:28.
Për gazetën El Mundo ai ka thënë: Ti i vendos kufijtë. Nëse doni të arrini një qëllim, pavarësisht nga vështirësitë, me këmbëngulje, vullnet dhe qëndrueshmëri mund të arrini gjithçka. Por, edhe nëse nuk ia del, duhet të ndihesh i kënaqur që e ke provuar.