Të ngjashëm me yjet, por shumë herë më të shndritshëm! Objektet qiellore që shkencëtarët i kanë emërtuar “kuazarët” janë aq sa misteriozë edhe mahnitës. Para se të ndalemi te zbulimi më i fundit që lidhet pikërisht me to, le të shpjegojmë shkurtimisht se çfarë janë.
Kuazarët (quasi-stellar radio source), janë trupa qiellorë që lëshojnë një sasi të madhe energjie në formën e dritës, me rreze infra të kuqe, valë radioje, rreze ultravjollcë etj. Pavarësisht se ndodhen me vite dritë larg Diellit, ndriçimi i tyre është tejet i lartë. Gjenden pranë vrimave të zeza, në qendër të një galaktike. Në një gjuhë më të thjeshtë, janë si “bërthama e një galaksie”. Për herë të parë këto objekte qiellore u pikasën në vitet 1930, kur Karl Jansky një nga astronomët më të njohur zbuloi këtë burim energjie me sasi të madhe drite.
Sky News shkruan se së fundmi, është zbuluar një kuazar 500 trilion herë më i ndritshëm se Dielli.
Vrima masive e zezë ku ky kuazar gjendet është rreth 19 miliardë herë më e madhe se Dielli dhe po rritet me një shpejtësi marramendëse. Ishte një ekip shkencëtarësh nga Australia që zbuloi se ky kuazar po tërhiqte sasi të mëdha gazi drejt tij. Do e cilësonim ndryshe një “uragan kozmik” pasi lëshon një energji në kufijtë e të paimagjinueshmes.
Autori kryesor i studimit Christian Wolf u shpreh se “ky kuazar mund të jetë vërtet më i ndritshmi i zbuluar ndonjëherë.” Sipas tij, për herë të parë ai u pa në vitin 1980, por asokohe u mendua se ishte një yll. Vetëm vitin e shkuar, studiuesit e klasifikuan te kuazarët pas vëzhgimeve që bënë në Australi dhe shkretëtirën Atacama të Kilit.
Astronomët madje thonë se ky kuazar “përmban energjinë ekuivalente me 370 diej në vit.” 12 miliardë vite dritë larg Tokës, kuazari i emërtuar J0529-4351 është një nga zbulimet më të jashtëzakonshme deri më sot. Hulumtimi është publikuar në revistën “Nature Astronomy”.