50% e popullsisë, internet broadband në 2027: Kompanitë e rrjeteve fikse investuan 2.6 mld lekë për këto shërbime

Gjithashtu, pritet që deri në vitin 2027 rreth 50% e popullsisë të ketë akses broadband fiks, duke mbuluar kështu gjysmën e territorit.

Zhvillimet teknologjike dhe orientimi drejt përdorimit të aksesit broadband në internet, kanë bërë që në vitet e fundit të ketë një rritje të konsiderueshme të numrit të pajtimtarëve me akses broadband nga rrjetet fikse në Shqipëri.

Broadband i referohet transmetimit të të dhënave përmes një lidhjeje interneti me shpejtësi shumë të lartë. Kjo teknologji ofron shërbimet më të shpejta sot, si DSL, fibër, wireless dhe 4G/5G LTE.

Edhe pse viti 2023 shënoi finalizimin e procesit të bashkimit të dy operatorëve celularë dhe si rezultat ekzistencën në treg të vetëm dy kompanive celulare, numri i përdoruesve me akses broadband celular është pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2022. Viti i kaluar shënoi ulje të përdoruesve aktivë që përdorin shërbimin e aksesit në internet broadband. Ndërkohë që ka pasur një rritje të numrit të përdoruesve me akses broadband nga rrjetet fikse.

Trafiku i internetit broadband nga rrjete fikse arriti në rreth 1.25 miliardë GB gjatë vitit 2023 ose rreth 24% më shumë se viti 2022, gjë që tregon se pajtimtarët e këtij shërbimi e kanë shfrytëzuar këtë rrjet për të aksesuar shërbimet e tyre financiare, informative, sociale, shëndetësore, e të tjera.

Përgjatë vitit 2023, kompanitë e rrjeteve fikse kanë kryer rreth 2.6 miliardë lekë investime në rrjetet e tyre duke shënuar rritje me rreth 3% krahasuar me vitin 2022. Sipas raportimeve, edhe në këtë vit investimet janë kanalizuar kryesisht në funksion të përmirësimit të aksesit të shërbimeve broadband, ku ndër investimet kryesore është fokusimi drejt zhvendosjes së rrjeteve të transmetimit nga teknologjia DSL drejt teknologjisë me fibër.

Por çfarë synohet të arrihet në 3 vitet e ardhshme?

Nga 40% që parashikohet rritja e zhvillimit të infrastrukturës broadband në 2025, kjo përqindje do të shkojë në 60% në fund të vitit 2027. Gjithashtu, pritet që deri në vitin 2027 rreth 50% e popullsisë të ketë akses broadband fiks, duke mbuluar kështu gjysmën e territorit.