Vodafone Hungari do të blihet në një operacion të përbashkët mes 4iG dhe fondit publik të investimeve Corvinus, për një vlerë prej 715 miliardë Forinta hungareze ose afërsisht 1.8 Miliardë Euro. 4iG do të përfitojë 51% të aksioneve në Vodafone Hungaria, ndërsa qeveria hungareze, nëpërmjet fondit Corvinus, 49%.
Grupi hungarez i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacioneve, 4iG, së bashku me qeverinë hungareze, njoftuan në fillim të kësaj jave arritjen e marrëveshjes për blerjen e Vodafone Hungari.
Vodafone Hungari do të blihet në një operacion të përbashkët mes 4iG dhe fondit publik të investimeve Corvinus, për një vlerë prej 715 miliardë Forinta hungareze ose afërsisht 1.8 Miliardë Euro. 4iG do të përfitojë 51% të aksioneve në Vodafone Hungaria, ndërsa qeveria hungareze, nëpërmjet fondit Corvinus, 49%.
Vodafone është operatori i dytë më i madh në tregun e telekomunikacioneve në Hungari.
Blerja e Vodafone Hungari shënon hapin e radhës, por edhe më të madhin deri tani, në aleancën strategjikee mes qeverisë së Victor Orban dhe kompanisë së kontrolluar nga biznesmeni hungarez Gellert Jaszai. Më herët gjatë këtij viti, ky partneritet solli bashkimin e 4iG dhe qeverisë hungareze në kompaninë Antenna Hungaria, që është edhe aksionere kontrolluese në dy kompanitë shqiptare të telekomunikacioneve, ONE Telecommunications dhe Albtelecom, përveçse në operatorin më të madh të telefonisë celulare në Mal të Zi, ONE Crna Gora.
Edhe Antenna Hungaria, sidoqoftë, ka si aksioner shumice kompaninë 4iG (me 76.78% të aksioneve). 4iG kontribuoi në rritjen e kapitalit të Antenna Hungaria në prill të këtij viti, duke investuar në të gjitha aksionet që zotëronte në kompanitë e sektorit të telekomunikacioneve, përfshi kuotat në kompanitë hungareze, DIGI, Invitech, ato shqiptare, Albtelecom dhe One dhe në atë malazeze, ONE. Ndërkohë, nëpërmjet Antenna Hungaria, 4iG dhe shteti hungarez zotërojnë edhe 25% të operatorit tjetër hungarez të telekomunikacioneve, Yettel (ish-Telenor)
Këto operacione janë pjesë e strategjisë së qeverisë hungareze për të rritur gradualisht pjesëmarrjen e saj në kompanitë e sektorëve strategjikë të ekonomisë. Në muajin shkurt të këtij viti, fondi publik i investimeve Corvinus, bleu 45% të aksioneve në kompanitë hungareze të grupit austriak të sigurimeve Vienna Insurance Group, për 350 milionë Euro. Në vitin 2015, Corvinus bleu gjithashtu edhe 100% të aksioneve në bankën tregtare Budapest Bank.
Aleanca mes 4iG dhe qeverisë hungareze tashmë po bëhet faktor ekonomik edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kompanitë e kontrolluara prej tyre zotërojnë pjesën më të madhe të tregut për nga numri i abonentëve në shëbrimet e komunikimeve fikse dhe celulare në Shqipëri. 4iG ka bërë të ditur se Shqipëria do të jetë qendër e operacioneve të saj rajonale dhe për këtë po ngrihen edhe struktura të posaçme në nivel menaxhimi.
Veç kompanive shqiptare, në portofolin rajonal, përfshihet edhe operatori malazez ONE; por, strategjia e 4iG le qartësisht të kuptohet se kompania është e interesuar për të kryer blerje të tjera në rajon.