Të parët që dolën në front në shërbim dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve të vendit, qysh nga fillimi i pandemisë me COVID-19, në muajin mars ishin personeli shëndetësorë dhe Policia e Kosovës. Por nga marsi e deri tani edhe një numër i konsiderueshëm i tyre u infektuan me këtë virus.
Nga fillimi i pandemisë e deri më sot janë infektuar me virusin COVID-19, 498 mjekë, 1000 infermierë, laborantë, mami dhe profesionistë të tjerë, si dhe 500 punonjës të Policisë së Kosovës.
Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës në një prononcim për Telegrafin ka thënë se aktualisht në Kosovë janë 220 mjekë të infektuar me virusin COVID-19.
Sejdiu theksoi se nga fillimi i pandemisë deri më sot janë infektuar me virusin COVID-19, 498 mjekë, 15 prej tyre janë nga sektori privatë.
Sejdiu po ashtu tregoi se nga muaji mars i fillimit të pandemisë, e deri më sot shtatë mjekë kanë ndërruar jetë.
“Prej fillimit të pandemisë e deri më sot, sipas raportit që kemi marr ishin 498 mjekë të infektuar, ku prej tyre 15 janë të sektorit privatë. Aktualisht kemi 220 mjek aktivë me COVID-19, ndërsa shtatë mjekë kanë ndërruar jetë”, ka thënë Sejdiu në një prononcim për Telegrafin.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli tregoi për Telegrafin se vetëm në muajin korrik të infektuar me COVID-19 ishin 400 infermierë, laborant, mami dhe profesionist të tjerë.
Ai tha se muaji korrik shënohet si muaji më i lartë për numrin e të infektuarëve nga kjo sindikatë.
Havolli u shpreh se nga fillimi i pandemisë e deri më sot, kjo sindikatë numëron 1000 infermierë, mami, laborant dhe personelë shëndetësorë të infektuar, ndërsa prej tyre shtatë kanë ndërruar jetë.
“Prej ditës së parë 1000 infermierë, mami, laborant dhe profesionist të tjerë janë infektuar me COVID-19. Vetëm në muajin korrik është një shifër më shqetësuese janë 200 infermierë, dhe 200 të tjerë të konfirmuar nga kontakti me ta, gjithsej 400 të infektuar”, tha ai.
Havolli shtoi se në vazhdimësi ka të prekur me COVID-19 nga profesionistët shëndetësorë, pasi ata janë gjatë gjithë kohës në komunikim me pacient të infektuar.
Ndërkaq, nga zyra për informim nga Policia e Kosovës, për Telegrafin thanë se nga paraqitja e pandemisë e deri më sot 500 punonjës kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
Ndër ta sipas njoftimit mbi 310 janë shëruar, ndërsa ende aktiv janë 190, ndërsa tetë pjesëtarë të Policisë kanë ndërruar jetë.
“Nga fillimi i pandemisë, janë infektuar rreth 500 pjesëtarë të PK-së (të uniformuar dhe staf civil), janë shëruar mbi 310, aktiv janë rreth 190 dhe fatkeqësisht kanë humbur jetën tetë pjesëtarë të PK-së (dy nga këta staf civil)”, thanë nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 12.840 raste nga 48.743 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 492 raste të vdekjes, ndërsa numri i të shëruarve deri më sot është gjithsej 8.942 raste, kurse i atyre aktive është 3.406