36-vjeçari shqiptar vdes në burgun e Francës, familjarët thonë se e vranë

Një 36-vjeçar nga Shqipëria ka vdekur në një burg në Francë.

Sipas raportimeve të Top-Channel, ai ishte në procedura për të marrë azil kur edhe u gjet pa shenja jete në qelinë e tij.

Njoftimi sipas familjarëve të Mentor Rexhës, është bërë me vonesë.

Ata nuk janë njoftuar në rrugë zyrtare për vdekjen e familjarit të tyre.

Sipas autoriteteve franceze Rexha është vetëvrarë.

Por, familja e 36-vjeçarit ka dyshime të forta se ai është vrarë.

Motra e të riut thotë se vetëm tani vonë janë lejuar që ta shohin në morg.

“ Fillimisht më kërkuan që të firmos një shkresë pa parë trupin, por unë nuk pranova”, thotë ajo.

Vetëm pasi ka shkuar vetë në morg, ka arritur të konstatojë shenjat e dhunës.

Trupi nuk është kthyer ende në Shqipëri, ndërsa të afërmit bëjnë apel për ndihmë, sepse ambasada shqiptare në Francë është shprehur se nuk ka fonde për t`i asistuar.

Mentor Rexha, i lindur në Lezhë dhe me banim në Shkodër, përpara një viti kishte udhëtuar drejt Francës si emigrant dhe kishte aplikuar për  procedurat e marrjes së statusit të azilantit.

Por ndërkohë, ai ka përfunduar  në burg bashkë me dy shqiptarë të tjerë për djegien e disa automjeteve, ndërsa e motra thotë se në komunikimet që kanë pasur, Rexha gjithmonë ka pretenduar pafajësinë.

Duke mos besuar variantin e autoriteteve franceze, të afërmit i kanë bërë dhe foto trupit që tregojnë një shenjë litari në fyt, por edhe të çarë në kokë si dhe shenja të tjetra në trup, që i bën ata të dyshojnë se e vërteta nuk është aspak siç po u paraqitet.

Ngjarja risjell në kujtesë episodin e trishtuar të përpara dy viteve, kur Florenc Beqiraj vdiq në një burg të Francës, teksa ishte dhe ai në pritje të azilit.