Të paktën 322 persona të vrarë dhe të zhdukur nga sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës në pesë orët e fundit, pas shkeljes së armëpushimit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e Qeverisë në Gaza thuhet se Izraeli vazhdon të kryejë gjenocid ndaj civilëve, duke shpërfillur marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe duke shkelur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe humanitare.
Në deklaratë theksohet se numri i personave të vrarë dhe të zhdukur në sulmet që Izraeli ka kryer gjatë 5 orëve në Gaza arrin në 322 dhe se janë plagosur dhjetëra njerëz.
Thuhet se disa nga të vrarët dhe të plagosurit janë dërguar në spitale ndërsa shumica e tyre nuk kanë mundur të dërgohen në spitale për shkak të kushteve të këqija humanitare në rajon dhe mungesës së karburantit që paralizoi transportin në të gjitha qytetet dhe se shumica e viktimave dhe të zhdukurve janë gra, fëmijë dhe të moshuar.
– Izraeli njoftoi shkeljen e armëpushimit
Ushtria izraelite njoftoi se ndaj Gazës kanë rifilluar sulmet në shkallë të gjerë në përputhje me udhëzimet e nivelit politik.
Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë izraelite thuhet se sulmet janë nisur me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz.
Është transmetuar se Izraeli i cili shkeli armëpushimin, do të veprojë kundër Hamasit me “forcë ushtarake në rritje”.