Të paktën tre ushtarë nga Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) u plagosën sot në një sulm izraelit që synoi automjetin e tyre në jug të vendit, tha media zyrtare, transmeton Anadolu.
“Një automjet me katër rrota që i përkiste vëzhguesve të armëpushimit të UNTSO-së (Organizata e Mbikëqyrjes së Armëpushimit e Kombeve të Bashkuara) pranë pikës B37 në Linjën Blu, në kufirin me Palestinën e pushtuar, iu nënshtrua një sulmi izraelit rreth orës 10:15 të mëngjesit të sotëm”, njoftoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit.
Agjencia shtoi se automjeti ishte “në shënjestër nga një raketë direkte, e cila rezultoi në plagosjen e tre oficerëve dhe një përkthyesi civil, njëri prej tyre rëndë”.
“Aktualisht është duke u zhvilluar operacioni i shpëtimit për transportimin e të plagosurve me helikopterin e UNIFIL-it”, shtoi ajo.
Duke komentuar incidentin, ushtria izraelite pretendoi se nuk ka shënjestruar asnjë automjet të UNIFIL-it në zonën Rmeish në Libanin jugor.
Tensionet kanë qenë të larta në zonën kufitare midis forcave izraelite dhe Hezbollahut që kur palët zhvilluan një luftë në shkallë të gjerë në vitin 2006.
Tensionet e fundit kufitare vijnë pas nisjes së ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, në të cilën janë vrarë më shumë se 32.600 njerëz pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.