3 orë në këmbë, ushtria shpëton 38-vjeçaren e izoluar në Kukës

Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat e Armatosura kanë arritur të transportojnë sot për në Spitalin Rajonal të Kukësit një 38-vjeçare, e cila ishte e bllokuar në shtëpinë e saj në fshatin Tejdrinë, të njësisë administrative Ujmisht, në bashkinë e Kukësit, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Përmes një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes, bëhet e ditur se Trëndafile Miçi, nënë e dy fëmijëve, e cila paraqitej me temperaturë të lartë trupore, 40 gradë, dhe e kishte të pamundur të transportohej për në spital për shkak të bllokimit të rrugës nga bora.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, efektivët e Brigadës së Mbështetjes Rajonale të Kukësit dhe një mjet i rëndë, u nisën drejt fshatit Tejdrinë.

Për shkak të trashësisë së borës, ushtarakëve iu desh të ecnin edhe për rreth 1 orë e gjysmë në këmbë deri në shtëpinë e të sëmurës. Pas marrjes së 38-vjeçares, efektivët e transportuan me barrelë deri te mjeti i rëndë, për t’a dërguar më pas në spitalin e Kukësit, nën kujdesin e mjekëve.

Ushtarakët të cilët kanë transportuar të sëmurën 38 vjeçare nga fshati Tejdrinë drejt spitalit të Kukësit, janë cilësuar nga kryeministri Edi Rama si “heronjtë e ditës”.

Kreu i qeverisë përmes një statusi në facebook, ka përshëndetur aktin e trupave të FA.

”HERONJTË E DITËS – Pas 3 orësh ecje në këmbë, FA shpëtojnë nënën e sëmurë të dy fëmijëve në fshatin Tejdrinë të Kukësit”

Nëna 38-vjeçare, paraqitej me temperaturë të lartë trupore, 40 gradë dhe e kishte të pamundur të transportohej për në spital për shkak të bllokimit të rrugës nga bora. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, efektivët e Brigadës së Mbështetjes Rajonale të Kukësit u nisën drejt fshatit Tejdrinë, për ta dërguar më pas në spitalin e Kukësit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve”./m.m/ e.caushi/