3 astronautë kinezë zbarkojnë në Tokë

Tre astronautët kinezë Nie Haisheng, Liu Boming dhe Tang Hongbo, u kthyen në Tokë, duke përfunduar një mision tremujor për ndërtimin e stacionit hapësinor të Kinës, të njohur si “Tiangong” ose “Pallati Qiellor”.

Ekuipazhi jetoi në stacionin hapësinor për 90 ditë, duke vendosur një rekord për astronautët kinezë në një mision të vetëm.

Tre muaj më parë, më 17 qershor, Kina lëshoi anijen kozmike “Shenzhou-12”, që kreu lidhjen me modulin bazë “Tianhe” po atë ditë. Më pas tre astronautët u vendosën me sukses në “ Tianhe”. “Shenzhou-12” është misioni i shtatë me ekuipazh në hapësirë i Kinës dhe i pari gjatë ndërtimit të stacionit hapësinor kinez “Tiangong”.

Sipas planit, një anije mallrash dhe një anije kozmike me ekuipazh do të lëshohen gjithashtu këtë vit për t’u lidhur me modulin bazë, dhe një treshe tjetër astronautësh do të qëndrojnë në orbitë për gjashtë muaj. Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës ka bashkëpunuar me Zyrën për Çështjet e Hapësirës së Jashtme të Kombeve të Bashkuara, duke ftuar anëtarët e OKB-së për eksperimente shkencore në stacionin hapësinor “Tiangong”.