27 vite pa El-Gazaliun, kalorësin e Thirrjes Islame

Muhamed El Gazali

Si sot me më 9 mars 1996 ndrroi jetë në moshën 79 vjeçare, dijetari i urtë egjiptian, Shejkh Muhammed El-Gazali Sekka.

Një biografi e shkurtër:

Muhamed El Gazali Sekka (1917-1996): Është lindur në fshatin Neklal Ineb në prefekturën e Buheras, Egjipt, më 5 Dhil Hixhe 1335h/22 Shtator 1917. U rrit në një familje të ndershme dhe u edukua në një ambient besimi.

Mësoi përmendësh Kur’anin dhe lexoi hadithin në shtëpinë e babait të tij. Hyri në shkollën fetare të Aleksandrisë dhe vazhdoi aty deri sa arriti të mbarojë shkollën e mesme të Ez’herit.

Më vonë, në vitin 1356h/1937 shkoi në Kajro dhe u regjistrua në fakultetin e Usuli Din. Gjatë studimeve të tij në Kajro u lidh me Imam Hasen Benna. Duke forcuar lidhjet me të u bë prej njerëzve të afërm të tij, deri sa Imam Hasen Benna kërkoi nga ai të shkruaj në revistën Ihvanul Muslimin, pasi mori premtimin e tij për vendosmëri dhe qartësi.

Imam Hasen Benna asnjëherë nuk pushonte së nxituri që ai të shkruante gjithmonë. U diplomua në vitin 1360h/1941.

U specializua në fushën e Thirrjes (Dawes), ku dhe mori gradën El Alemijetu në vitin 1362h/1943 dhe vazhdoi udhëtimin e Thirrjes nëpër xhamitë e Kajros.

El Gazali, kalorës i Thirrjes Islame

Shejkh Muhamed El Gazali ka qenë “huxh-xhe”(argument), ashtu siç ka qenë argument edhe Ebu Hamid El Gazali.

Shejkh M. El Gazali ishte njëri prej thirrësve të mëdhenj të Islamit dhe burrave reformator të shquar. Tek ai ishin mbledhur cilësi që nuk janë mbledhur vetëm tek një numër i paktë njerëzish të shquar. Ai ishte besimtar i sinqertë, muxhahid në fushën e Thirrjes. Islami sundoi gjithë jetën e tij dhe jetoi për të duke ia kushtuar fesë tërë jetën e tij.

Lapsin dhe mendjen e nënshtroi në sqarimin e qëllimeve dhe lartësimin e synimeve. Shpjegoi parimet, i mbrojti dhe i ruajti nga armiqtë e fesë.

Nuk ka lënë mjet që ka njohur pa e përdorur në arritjen e qëllimeve të tij. Kështu që shfrytëzoi librin, gazetën, radion dhe televizionin në realizimin e asaj që dëshironte në shërbim të fesë Islame.

Zoti xh.sh i kishte dhënë mendje të thellë, kulturë të gjerë Islame dhe si produkt i kësaj kanë qenë librat e shumtë në fushën e mendimit Islam, të cilat i jepnin jetë ymetit, reformonin brezat, hapnin rrugët, edukonin rininë, ndërtonin mendje dhe lartësonin idetë.

Ai kur shkruante ishte letrar i përsosur. Po qe se do t’i kushtohej letërsisë do të arrinte kulmin e tij, do të ishte nga lloji i argumentit letrar dhe talentit islam Mustafa Sadik Rafij, por zgjodhi rrugën e Thirrjes duke qenë letrari i përkryer i saj.

Zoti xh.sh i kishte dhuruar retorikë dhe qartësi, e cila bënte për vete zemrat e secilit që rrinte me të, të shoqëruar me dialekt të pastër e besim të sinqertë, qartësi mendimesh dhe nivel të lartë të çështjeve islame.

Hytbet dhe mësimet e tija ishin bashkim idesh dhe shkollë e Thirrjes në çdo vend që rrinte.

El Gazali zotëronte ndjenjat e dëgjuesve kur predikonte dhe orientonte mendjet e njerëzve kur shkruante.

Ai ishte njeri reformator, dijetar i sëmundjeve të shoqërisë islame në të gjithë anët e saj.

Jetën e tij ia kushtoi zbulimit të problemeve, luftimit të bidateve dhe formave të shthurjeve, me një gjuhë të qartë pa ndërlikime dhe pështjellime. Shfaqte hapur atë që besonte, sepse ishte e vërtetë dhe nuk shqetësohej aspak për pakënaqësitë e pushtetarëve, ose zemërimin e qytetarëve.

Atë e lëvizte një besim i fortë, trimëri e patundur dhe shpirti islam.

Fusha për të cilën ishte krijuar Shejkh Muhamed El Gazali, ka qenë fusha e Thirrjes për tek Zoti xh.sh, me mençuri dhe urtësi, me ndihmën e lapsit dhe gjuhës së tij. Ai kishte një rubrikë të veçantë në revistën Ihvanul Muslimin, e cila titullohej “Ide të gjalla”, duke shfaqur talentin e tij në çështjet dhe problemet bashkëkohore të Islamit dhe myslimanëve.

Shejkh M. El Gazali ndërroi jetë duke dhënë kontributin e tij në atë fushë ku dhe ia kushtoi gjithë jetën e tij. Në konferencën e Thirrjes Islame në Riad, gjatë punimeve të saj një debat u ndez rreth një çështjeje në besimi, shejkh Gazali ndërhyri me këmbëngulje duke sqaruar dhe argumentuar shkencërisht, si pasojë e këtij debati u godit nga një infarkt i zemrës, i cili i shkaktoi edhe vdekjen, më 9 mars 1996. U varros në varrezat e Bekias, në Medine munevvere.

Disa nga librat e tij

Shejkh Muhamed El Gazali gjatë jetës së tij la një trashëgimi të pasur me libra të shkruar prej tij, rreth 60, ndër ta:

El islam vel euda’ë el iktisadije (ky është edhe libri  i parë i tij, 1947)
Es sunnetu en nebevijje bejne ehlil fikhi ve ehlil hadith
Kadajal mer’etil muslimeh
Fikhus sire
Dusturul vahdetith thekafije
Min huna na’lem
Kadhaiful hakk
Rakaizul iman
El islam vel istibdadus sijasij
Ilel ve edvije
Akidetul muslim
Khulukul muslim
Teemmulat fid dini vel hajat …etj.

/gazaliu.wordpress.com/