I akuzuari për vrasjen në “Bon Vivant”, Masar Gërdovci është dënuar me 18 vite burgim ndërsa për armëmbajtje pa leje me 1500 euro gjobë, kurse Sherif Krasniqi është dënuar me 7 vite burgim për “vrasje në bashkëkryerje”. Për veprën penale armëmbajtje pa leje ndaj Krasniqit, prokurori i shtetit në seancat e mëhershme ka hequr dorë nga ndjekja penale derisa gjykata e ka refuzuar akuzën.
Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Avni Syla, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Trupi gjykues ia ka vazhduar masën e paraburgimit Gërdovcit deri në plotëfuqishmërinë e aktgjykimit.
Nëse Gërdovci nuk e paguan gjobën e shqiptuar, gjykata dënimin me gjobë e shndërron në dënim me burgim. Atij do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga 13 tetorit 2014 derisa i njëjti të gjendet në masën e paraburgimit.
Edhe Sherif Krasniqit do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim prej 13 tetorit 2014 deri më 22 janar 2019, po ashtu nga 18 dhjetori 2020 deri më 13 qershor 2023.
Gjykata i ka obliguar dy të akuzuarit të paguajnë secili veç e veç shpenzimet e procedurës penale në emër të paushallit gjyqësor në shumën prej 400 euro si dhe në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, secili veç e veç shumën nga 50 euro.
Palët e pakënaqura me aktgjykimin kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.
Fjala përfundimtare është dhënë më 20 maj, ku i akuzuari Gërdovci kishte deklaruar se shkaku i thashethemeve lidhur me rastin i kishte vdekur edhe babai i tij.
Pas ankesave, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Më 18 dhjetor 2020, gjykata e shkallës së parë në rigjykim sërish kishte marrë aktgjykim dënues, ashtu që të akuzuarit Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, i kishte shpallur fajtorë për vrasjen e rojës në lokalit “Bon Vivant”, duke i dënuar me 24 vjet burgim (së bashku).
Lidhur me ketë vendim, Gjykata Supreme rastin e kishte kthyer në rigjykim pasi që sipas kësaj instance të akuzuarit Gërdovci dhe Krasniqi, janë shpallur fajtorë për veprime të cilat dallojnë nga ato për çka janë akuzuar.
Vendimi i fundit lidhur me këtë rast është marrë më 13 janar 2023, ku Themelorja, Gërdovcin e dënoi me 18 vite burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë, kurse Krasniqin me 7 vite burgim. Apeli e ktheu çështjen në rigjykim më 13 qershor 2023.
Aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015. Ata thuhet se në bashkëkryerje, kishin privuar nga jeta të ndjerin Rr.U, duke kryer kështu veprat penale vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.