Ministria e Shëndetësisë nënshkroi sot Marrëveshje të performancës me pesë prej gjashtë Komunave të parapara Kosovës: Prizrenin, Dragashin, Malishevën, Rahovecin dhe Suharekën, (mungoi Prishtina), që ka për qëllim të stimuloj Kujdesin Parësor Shëndetësor përmes skemës së pagesës bazuar në kapitacion sipas performancës (PBKP) në kuadër të Marrëveshjes për financim, si pjesë e kredisë së Bankës Botërore për ta përkrahur Projektin e Shëndetësisë në Kosovë.
Marrëveshjet janë nënshkruar nga Ministri Imet Rrahmani dhe kryetarët e pesë Komunave të lartpërmendura, përfituese të cilat kanë për obligim mbledhjen dhe raportimin e të dhënave për performancën e institucioneve komunale të KPSh-së; ndërsa indikator është regjistrimi i pacientëve nga Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe raportimi i aktiviteteve.
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se në vazhdën e aktiviteteve për zhvillimin e reformës shëndetësore dhe fuqizimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor është edhe nënshkrimi i marrëveshjeve për pagesën për kapitacion në bazë të performancës për çfarë janë ndarë 780 000 euro, nga të cilat do të përfitojnë komunat nënshkruese në bazë të performancës për regjistrimin e pacientëve nga mjeku familjar.
Menaxheri i Misionit të Bankës Botërore për Kosovë, z. Marco Mantovanelli tha se në vazhdën e implementimit të reformës shëndetësore qëllimi është që të mbrohen qytetarët nga shpenzimet e mëdha dhe të përmirësohet kujdesi shëndetësor ndaj tyre.
“E kuptojmë që reforma shëndetësore është mjaft komplekse dhe në implementimin e saj kanë pasur probleme dhe shtete shumë më të zhvilluara, por ne jemi të përkushtuar për të mbështetur edhe teknikisht dhe financiarisht zhvillimin e kësaj reforme”, tha ai, duke përgëzuar Ministrinë për arritjen e marrëveshjeve me komunat.
Sipas Marrëveshjeve të nënshkruara, Msh do të bëjë vlerësimin e arritjeve të komunave si parakusht për funksionimin e PBKP-së, dhe atë në përputhje me kriteret dhe formulën e paraparë me Manualin operativ të skemës së PBKP-së, duke marrë për bazë numrin e pacientëve të regjistruar që e kanë vizituar një institucion komunal të KPSh-së gjatë periudhës gjashtëmujore, të shumëzuar me 2.40 euro; ndërsa marrëveshjet e bashkëpunimi vlejnë për vitin 2017.