Rritet në 248 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti 7.1 ballë që goditi ditën e djeshme Meksikën.
Në deklaratën e publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, njoftohet se është rritur në 248 numri i personave që kanë humbur jetën në tërmetin e regjistruar me qendër 5 km në verilindje të qytetit Rabosso, në rajonin Puebla.
Gjithashtu në deklaratë është tërhequr vëmendja se dhjetëra ndërtesa në kryeqytetin Meksiko janë shndërruar në gërmadha.
Shefi i Mbrojtjes Civile Kombëtare, Luis Felipe Puente, në një deklaratë të bërë në llogarinë e tij në Twiter është shprehur se në kryeqytet kanë humbur jetën 117 persona, në rajonin Moreios 72, në Puebla 43, në Meksiko 12, në Guerrero 3 dhe në Oaxaca 1 person.
Ndërsa presidenti i vendit, Enrique Pena Nieto, ka njoftuar se është shembur një shkollë në jug të Meksikos dhe se deri tani nga rrënojat janë nxjerrë trupat e 25 nxënësve. Ekipet e kërkim-shpëtimit janë në vazhdim të punimeve në shkollën ku bëhet e ditur se kanë mbetur nën rrënoja 38 persona.
Nieto në një deklaratë në televizion është shprehur se është shpallur gjendje emergjente në rajonet e prekura nga tërmeti dhe se kanë dërguar ekipe në mbështetje të punimeve.
Kryetari i bashkisë së Meksikos, Miguel Angel Mancera, ka bërë të ditur se gjatë punimeve të kërkim-shpëtimit kanë shpëtuar nga rrënojat të paktën 60 persona.
Ndër të tjera zyrtarët meksikanë kanë vënë në dukje se 70 persona të plagosur janë duke marrë mjekimet nëpër spitale.
Në kryeqytet është ndërprerë energjia elektrike për afërsisht 2 milionë njerëz, ka ndërprerje me shërbimet telefonike ku dhe janë bërë paralajmërime popullatës për mos pirje të duhanit nëpër rrugë për shkak të rrezikut që mund të shkaktojnë linjat e gazit që janë dëmtuar nga tërmeti.
Në tërmetin 8.1 ballë të ndodhur më 8 shtator në vend humbën jetën 96 persona. /aa/