Sot, një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngriti aktakuzë në rastin e regjistruar me numër PPS 67/2014 në lidhje me vepra penale të kryera gjatë gjykimit të rastit ‘Drenica’, njofton kumtesa zyrtare.
Njëzetë e katër të pandehur akuzohen për një numër veprash që kanë të bëjnë me trajtimin e të burgosurve nga ana e Shërbimit Korrektues të Kosovës, ikjen e të burgosurve nga Spitali i Prishtinës në maj të vitit 2014, kujdesin mjekësor që iu është dhënë disa të burgosurve, dhe kërcënimin e dëshmitarëve gjatë gjykimit të rastit ‘Drenica’.
Pas zhvillimit të hetimeve të gjata dhe të ndërlikuara, 11 pjesëtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe një mjek tani përballen me akuzën e keqpërdorimit të pozitës apo autorizimit zyrtar dhe akuzën e lirimit të paligjshëm të personave të privuar nga liria. Ikja e të burgosurve dhe keqpërdorimi i kujdesit mjekësor që iu është ofruar disa të burgosurve po ashtu janë të përfshira në këtë aktakuzë të ngritur.
Hetimet janë zhvilluar me qëllim që të ndiqeshin penalisht disa të pandehur, të cilët, edhe pse ishin burgosur, patën mundësinë e organizimit të një grupi të përkushtuar për të bërë presion mbi deklaratat gjyqësore të dëshmitarëve kyçë kundër të pandehurve kryesorë në rastin ‘Drenica’.
Hetimet u kryen me mbështetjen aktive të Policisë së Kosovës dhe të Shërbimit Korrektues të Kosovës.