Ballina Artikuj 24 orë para 2019-es

24 orë para 2019-es

“Njeriu i lirë vetëm për shkak të vetekzistimit është i detyruar të mendojë se si do të sillet në botën, në të cilën nihilizmi nuk është vetëm gjendje mbizotëruese por, ç’është edhe më e keqe, ku është bërë gjendje normale.”

Ernst Jünger
Shkruan: Ismail BARDHI

Po e filloj këtë shkrim me një rrëfim.

Paska qenë një plak nga një fshat nga rrethi i Shkupit, i devotshëm, besimtar, i heshtur e jo i zhurmshëm, punëtor e çoban, që ka jetuar në vitet e ‘50-ta të shekullit të kaluar, pra në sistemin e komunizmit, “vëllazërim-bashkimit”, “drejtësisë”, “barazisë”.

Në atë kohë, një nga këta përfaqësuesit e “vëllazërim-bashkimit”, i rritur e i shkolluar, mjek në spitalin e Shkupit, njoftohet disi me të dhe pastaj shpeshherë e paska ftuar t’ia mirëmbajë oborrin e shtëpisë, siç bëjnë edhe këta burokratët e sotëm ose katundarët e demokracisë, të cilët brenda natës pasurohen.

Një ditë prej ditësh ky intelektuali komunist i thotë: “Xhaxhi, nesër – nëse mundesh – do të jap një ‘prase’ që ta dërgosh te dikush”. Plaku i shkretë, plot urtësi, që e paska shikuar vetëm punën e vet, nuk e kishte ditur gjuhën e këtij intelektuali dhe, duke menduar se do të çojë prasë (presh), si zakonisht ishte pajtuar. Por, sapo ky zotëriu ia jep “prasen” (që në maqedonisht do të thotë “gic”), i shkreti plak i urtë (Zoti e shpërbleftë me xhenet), shtanget, nuk thotë asgjë nga turpi, për arsye se nuk kishte kundërshtuar për asgjë, por e merr gicin dhe, duke ecur me të mbi shpinë, vetëm thotë me vete: “Uh çfarë paska qenë prase!!!”. Kështu gjatë gjithë rrugës.

Edhe unë, duke u bazuar mbi këtë ndodhi të rahmetliut, vazhdimisht them: “Uh çfarë paska qenë demokracia, uh çfarë paskan qenë ‘vitet e reja’, plot demokraci e asgjë tjetër – tamam ‘prase’.” Plakun kjo e ka munduar sepse ai e ka ditur vetëm një gjë: ta çojë në vend amanetin!

Natyrisht, probleme e probleme… Ndër këto probleme lexova se ka probleme edhe nëpër shkollat dhe xhamitë në “Perëndim”. Prapë qenka bërë problem i madh mbulesa e vajzave/fëmijëve nëpër shkolla. Ndërsa në Gjermani xhamitë do të duhet të paguajnë tatime.

Ç’të thuhet dhe si të thuash diçka të mençur për atë që nuk ka të bëjë me mençurinë? Dhe, si t’i thuash e drejtë asaj që nuk ka të bëjë me drejtësinë?

Problemin e fëmijëve e bisedova edhe me një shok që është përgjegjës për komunitetin mysliman në një shtet perëndimor dhe i thashë: “Të lutem mos u shqetëso për këtë çështje, pa marrë parasysh se ka nevojë të bisedohet, por jo atje ku neve mundohen të na nënçmojnë!” Këto çështje duhet shikuar në dy aspekte: natyrisht, në atë aspektin e urdhrave të Zotit dhe në aspektin e sistemit shekullar, i cili është dominues në botë dhe të cilit ne i jemi “nënshtruar”.

Për fat të keq, ne myslimanët këtu merremi anasjelltas me çështjen. Për këtë arsye pandërprerë na paraqiten probleme. Faktikisht, jemi bërë si ata që vrapojnë pas rregullimeve që nuk rregullohen, siç thotë shprehja e vjetër: e gjuan gurin dhe e fsheh dorën. Këtu është çështja: se ne duhet ta bëjmë dallimin mes gurit dhe atij që e fsheh dorën. A nuk jemi dëshmitarë se u lodhëm duke vrapuar pas problemeve të tilla, pas gurëve që hidhen dhe pa sukses?

Kjo më detyroi t’i them atij shokut: “Të lutem, lëre këtë çështje, kjo është punë e Ministrive të Kulturës dhe Drejtësisë. Sot në këtë vend e nesër gjetiu. Nëse ato nuk janë të vetëdijshme të dinë të gjykojnë për fëmijët, duke u bazuar në konventat ndërkombëtare dhe kombëtare, çka ka nevojë që ne t’u themi atyre ju nuk keni të drejtë të krijoni kufizime për fëmijët?

Nëse dëshirojnë, le t’i nxjerrin fëmijët edhe ‘të zhveshur’. Ajo është çështje e një vendi që mëton se i takon një tradite të thellë me një filozofi të veçantë, që ka pasur rol politik dhe kulturor jo vetëm në vendet ku ka sunduar, por edhe më gjerë. Pra, këtij kombi i mungon diçka: akoma nuk është i vetëdijshëm se për çka është fjala – për fëmijët, për të cilët nuk guxon fare të krijojë mënyra a metoda diskriminuese. Por, siç duket, këta akoma shëtisin nën hijen e sindromit të antisemit(human)izmit. Ne nuk kemi mundësi t’i rregullojmë çështjet që në vete përmbajnë diskriminim, racizëm dhe shkatërrim.”.

E me çka duhet të merremi ne? Ne duhet të merremi se me atë se me çfarë të drejte ai prind e dërgon fëmijën në shkollë me mbulesë? Ku mbështetet ai: në fe apo në traditë? Këtu qëndron problemi: ne mundohemi t’i islamizojmë “traditat” tona vis-a-vis me perëndimorët; ata i dënojnë, ndërsa ne i islamizojmë; edhe islamizimi edhe dënimi/diskriminimi janë çështje shumë problematike dhe të dhimbshme dhe janë më tepër çështje të myslimanëve sesa të Islamit. Muslimanët u “lodhën” nga muslimanët “e ditur”, të cilët mundohen me mish e me shpirt, duke shfrytëzuar internetin, me chat-et e ndryshme, duke folur për çështjet fetare që nuk thonë asgjë, përpos asaj se si të bëhem mysliman më i mirë se “muslimani” tjetër, që i bie se si të bëhem mysliman që ta luftoj myslimanin tjetër, t’i them “ti nuk di, unë di ta ngre gishtin, t’i hap këmbët në namaz, di t’i gjej hadithet ‘e rrejshme’”. Pra, myslimanë të përgatitur për të krijuar armiqësi. Ky është problemi ynë. Sepse në emër të traditës, në emër të kombit, mundohemi ta nënçmojmë edhe Islamin.

Po ashtu kemi edhe një problem tjetër: në Austri ka qenë një marrëveshje e mirë që nga koha e Austro-Hungarisë për komunitetet fetare, përfshirë edhe atë myslimane, mirëpo me intervenimin e dy-tre çunave të sikletosur nga sfondet e tyre, që pretendojnë se janë punëtorë shkencorë, edhe pse nuk merren me asgjë tjetër veçse me “shërbime”, ka ardhur deri te prishja e kësaj marrëveshjeje të mirë qindravjeçare.

Çfarë dëshiroj të them? Momentalisht është shkuar aq “larg” me përditësimin e kësaj marrëveshjeje, saqë tani nëse ndodh ndonjë incident brenda një komuniteti mysliman, nuk merren më me kryetarin, por mund të mbyllet vetë qendra e komunitetit. E njëjta gjë do të mund të thuhej edhe për pagesën e tatimit për “lutje”. Si të shpjegohet kjo? Këtu edhe ne bëjmë gabim.

Faktikisht, ata të cilët kërkojnë tatime nga namazi që bëhet në emër të Zotit, le t’i drejtohen Zotit, le “ta dënojnë“ Zotin, le t’ia mbyllin dyert Zotit. Nëse nuk dinë si, le ta ringjallin Enver Hoxhën dhe t’iu tregojë se si mund “të ndalohet” Zoti. Ose, le të fillojnë të falen nëpër rrugë ose mbi pullaze, ngaqë nuk mund ta paguajnë tatimin.

Sipas meje, më e mira do të ishte të sillen si ai plaku i urtë në fillim të shkrimit dhe t’i ngatërrojnë “praset”, duke e thënë shprehjen më të nevojshme të kohës: “O Zot, çfarë paska qenë ‘prase’!?”
A e vëreni se jam duke shkruar “pa lidhje”? Unë jam i vetëdijshëm se jam duke shkruar në një mënyrë shumë konfuze, sepse dua ta dëshmoj atë fjalë që ia thashë shokut: “Lëre, nuk është për ne t’i rregullojmë çështjet që nuk na takojnë neve; ne e kemi detyrim fëmijën ta çojmë në shkollë, me qëllim që të edukohet, të arsimohet dhe të bëhet pjesë e shoqërisë”. Kjo, kështu siç e them, më pëlqen mua, por ka edhe diçka tjetër, me të cilën ne duhet të merremi. Ne duhet të pyesim se pse aq shumë jemi duke u rrethuar me probleme të ndryshme, nga vijnë problemet, sa është Islami fajtor për problemet e sa është myslimani fajtor për problemet?

Muslimanët, me sjelljet e tyre të sotme, janë duke ia mbyllur rrugët Islamit, i ndalojnë fuqinë që e ka dhe atë atë detyrim që e ka nga Zoti si fe e Ummetit, e njeriut. Myslimanët me sjelljet e tyre të sotme janë duke e dëshmuar këtë, madje shkojnë aq larg, sa janë duke u kërkuar leje atyre që nuk mund të japin leje.

Në vend që t’i shërbejnë Fjalës së Zotit, ata kërkojnë leje prej atyre që e luftojnë Fjalën e Zotit. Çfarë mbetet prej asaj Fjale?! A thua vallë kjo fotografi e myslimanëve në vendin tonë e dëshmon Islamin, për të cilin shumica e njerëzve të mençur e të urtë pyesin se çfarë është duke ndodhur me ne, sepse ka humbur dashuria, respekti, përgjegjësia, ka humbur lezeti i mosdijes, ka humbur lezeti i dijes?! Xhamitë e mbushura me njerëz, të cilët shumica kënaqen me diçka që edhe ata nuk e dinë.
Është fakt se jemi të rrethuar brenda një labirinti hibrid dhe nuk e dimë atë që duhet ditur, sepse gjithçka është duke u penguar. Vetëm paramendoni se cilat janë kërkesat e një besimtari për të qenë besimtar: të mos vjedhë, të mos gënjejë, të mos vrasë, t’i përputhet mendimi me veprimin, të jetë i kujdesshëm ndaj namuzit, të jetë i çiltër në besim dhe zemër para Zotit, në sexhde dhe në lutje, të jetë i kujdesshëm para Fjalës së Zotit – Kur’anit, të mos bëjë shtrembërimin e së vërtetës, të jetë larg dyfytyrësisë dhe diskriminimit racional dhe fetar. Ç’të keqe ka në këto? Ne myslimanët nuk i pyesim të tjerët: pse gratë tuaja ecin të zhveshura, kurse ata neve na pyesin neve se përse gratë tona ecin të mbuluara? Ata na pyesin pse nuk konsumojmë alkool, pse nuk i tradhtojmë bashkëshortet… vetëm na pyesin… Në këto pyetje nuk e thashë akoma se çfarë do të thotë nënçmimi, ofendimi. Ata na kanë bërë që, pas çdo shpërthimi në botë, të rrëqethemi dhe ta pyesim veten: vallë kush e bëri, dikush me lesh apo pa lesh? Dhe, ta themi atë që feja nuk na lejon ta themi: “Shyqyr nuk qenka mysliman, por i krishterë; zezak ose i bardhë.”?
Sa e dhimbshme është që akoma nuk qenkan rregulluar dhe nuk rregullohen çështjet “e hapura”. Kjo ndodh vetëm atje ku ka rrenë dhe mashtrim. Ato kurrë nuk mund të rregullohen. Asnjëherë. Pa marrë parasysh vitet e reja. Ja jemi në prag të vitit të ri, që nuk më intereson fare dhe jam duke lutur Zotin që të ndalojë koha dhe jo ky që vjen të jetë 2019-të, por as ndonjë para epokës sonë, sepse e shihni se ku bazohet kjo kohë në të cilën jetojmë ne? Ajo tërë “fuqinë” e mbështet mbi botën e informacionit, armatimin, krimit dhe prostitucionit, forcat kryesore mbi të cilat bëhen bilancet e buxheteve shtetërore. Vitet që kanë kaluar më detyrojnë të them kështu, sepse edhe vetmia është na çmendur kur shohim pleq, fëmijë e nëna të dëbuara, të persekutuar e të përçmuar, që vetëm një Zot mund ta dijë se çfarë u ka ndodhur dhe çfarë kanë përjetuar. Unë e them këtë vetëm nga ajo që e shoh me sy dhe që mund ta paramendoj, por realiteti është shumë, shumë më i dhimbshëm. Para disa ditëve lexova për ato mijëra burra e gra, fëmijë e pleq nga Kosova, që janë djegur nëpër furrat e Trepçës, para se të bëhet shtet “shteti i Trepçës”. Kjo na ballafaqon me dilemën: çfarë mendojnë të gjithë ata që mundohen vetëm për një çast të na gëzojnë, e tërë vitin/jetën na e bëjnë zi e më zi: duke na robëruar, duke na i ndryshuar gjenet, duke “krijuar” njeriun e ri në formën e demonit!?
Besimtarët e vërtetë janë të detyruar haptazi t’u thonë atyre, ashtu siç u ka thënë Omer Muhtari italianëve në Libi: “Mos na e mësoni fenë, mjaft na e keni uzurpuar tokën!”, sepse ju me vite në emër të fesë suaj, vetëm jeni duke i shkaktuar dëm dhe fatkeqësi njerëzimit. Ne kërkojmë vetëm të jemi robër të drejtë, t’i shërbejmë Zotit siç duhet, ashtu siç urdhëron Fjala e Zotit dhe tradita e hazreti Muhammed Mustafasë a.s.. Pra, jo sipas atyre që kanë plot fytyra, por një fytyrë nuk e kanë, që kanë shumë dije, por një dije nuk kanë, që bëjnë shumë sexhde, por një sexhde nuk dinë ta bëjnë dhe që na bëjnë të themi si plaku: “Oh çfarë paska qenë ‘praseja’”!

Shkup, 30.12.2018

Exit mobile version