Ballina Lajmet Kosovë Kronologji e kufirit të Kosovës me Malin e Zi – përmes hartave...

Kronologji e kufirit të Kosovës me Malin e Zi – përmes hartave (Foto)

Florim Isufi, bashkë me Shpejtim Bulliqin, dy gjeografët kundër mënyrës se si Komisioni shtetëror ka demarkuar kufirin me Malin e Zi, kanë publikuar një pjesë të kronologjisë (përmes hartave) të kufirit.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Isufi e Bulliqi kanë shkruar se më 3 gusht të vitit 2016, janë prezantuar tri format e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi.

Këta kufij, sipas tyre, janë sipas hartave që kanë disponuar autorët.

Ata kanë shtuar se kopja e hartave është origjinale.

harta1

1. Kufiri i I-rë sipas delimitimit të vitit 1945 dhe në vazhdimësi, shkalla e zvogëlimit më e sakta 1:50000, disponohet edhe me shkallë tjera.

2. Kufiri i II-të sipas hartës së komunave kadastrale të vitit 1974 nga Drejtoria për Gjeodezi e KSA të Kosovës, shkalla e zvogëlimit më e sakta 1:30 000 deri 1:200 000, disponohet edhe me shkallë tjera.

3. Kufiri i III-të sipas demarkacionit të vitit 2015, shkalla e zvogëlimit më e sakta 1:200 000, disponohet edhe me shkallë tjera. Këtu duhet cekur se është edhe një hartë digjitale vektor nga AKK e që ne nuk mund të vërtetonim shkallën bazë të digjitalizimit, supozojmë që është harta kadastrale.

*Me kufirin e parë janë të gjitha hartat topografike nga viti 1946 deri ne vitin 1962, dhe hartat e tjera deri në vitin 1999, si:hartat fiziko gjeografike të murit, hartat shkollore, atllaset, enciklopeditë si dhe harta zyrtare e Malit të Zi 1:150000 e lejuar për përdorim nga Ministria e arsimit të Malit të Zi e vitit 1969.

*Me Kufirin e dytë janë hartat e publikuara deri në vitin 1999. Për bazë kanë hartën e komunave kadastrale të KSA të Kosovës e punuar nga Drejtoria për Gjeodezi e KSA të Kosovës të vitit 1974. Në këtë grup bëjnë pjesë hartat e të gjitha planeve hapësinore komunale dhe planet hapësinore të KSA të Kosovës deri në vitin 1999 (dokumente zyrtare). Harta fiziko gjeografike shkollore, atllase, harta muri (shembull: harta e KSA e Kosovës, ETMMK, 1984, Geokarta, Beograd), harta e flamurit zyrtar dhe stemës zyrtare të Kosovës, harta e Kosovës të punuara nga NIMA e SHBA-së, Britani e Madhe etj deri në vitin 1999, si dhe hartat e projekteve ndërkombëtare për territorin e Kosovës deri në vitin 1999. Në këtë grup hartash ka edhe harta zyrtare të Malit të Zi të dorëzuara në institucionet ndërkombëtare rajonale dhe më të mëdha.

*Me kufirin e tretë janë hartat e punuara dhe publikuara nga Agjencioni Kadastral i Kosovë me shkallë të ndryshme, Drejtoria për Gjeodezi e Kosovës para vitit 1999 në shkallë 1:200000, harta me destinim të ndryshëm nga institucionet e Kosovës pas viti 1999 etj. Këtu vlen të theksohet se autoret e këtij punimi nuk kanë poseduar hartë me shkallë më të saktë se 1:200000 për përdorim në veprimtarit e ndryshme para vitit 1988. Madje as për plane hapësinore si dokument zyrtar dhe ligjorë i institucioneve para dhe pas luftës. Nuk e përjashtojmë mundësin që mund të ketë.

Në fund ata kanë bërë të ditur se punimi i plotë do të botohet në një revistë shkencore gjeografike. /Telegrafi/

Exit mobile version