2024: Viti i tragjedisë dhe humbjes së ndërgjegjes njerëzore

Gëzim Qerimi

Viti 2024 do të mbahet mend si viti i gjakderdhjes masive dhe i një tragjedie të paparë njerëzore. Në Gaza, mbi 18 mijë fëmijë të pafajshëm u vranë, duke shënuar një nga kapitujt më të errët të historisë moderne. Ky ishte një vit kur jo vetëm që trupat u varrosën, por bashkë me ta u varrosën ndjenjat, empatia dhe ajo çka e bën një shoqëri vërtet humane. Një pjesë e madhe e botës demokratike, të cilën shpesh e quajmë bastion i të drejtave dhe lirive, e ktheu shpinën ndaj kësaj tragjedie, duke vrarë çdo ndjeshmëri dhe duke i lënë fjalët “drejtësi” dhe “barazi” të tingëllojnë bosh.

Ne, si shoqëri globale, nuk ishim thjesht spektatorë të kësaj tragjedie. Përkundrazi, ne e gejopolitizuam empatinë tonë. I ndamë viktimat në “tonat” dhe “të tjerët,” duke i mbyllur sytë përballë një vuajtjeje të tillë, thjesht sepse nuk përputhej me interesat tona. Kjo heshtje kolektive ishte më shumë se thjesht mungesë veprimi; ishte një braktisje totale e ndërgjegjes dhe e humanizmit që pretendonim se përfaqësonim.

2024-ta na mësoi një të vërtetë të hidhur: liria dhe siguria nuk kanë kuptim nëse nuk gëzohen nga të gjithë njësoj. Kur këto parime themelore bëhen privilegje selektive, ato shndërrohen në një mirazh – një iluzion i përkohshëm që shembet përballë padrejtësisë. Një shoqëri që toleron, apo më keq, arsyeton vrasjen masive të fëmijëve, është një shoqëri që ka dështuar në vetë thelbin e saj.

Viti 2024 nuk ishte thjesht një vit i dhimbjes dhe humbjes, por një pikë kthese për njerëzimin. Ishte viti kur varrosëm përfundimisht atë pak ndërgjegje njerëzore që ende shpresonim se ekzistonte. Ishte viti kur treguam se, përpara interesave gjeopolitike dhe retorikës boshe, ndjenja e drejtësisë dhe e humanizmit mund të flijohej pa ndonjë pendesë.

Ky vit nuk duhet të kthehet kurrë, jo vetëm për shkak të tragjedisë së tij, por edhe për shkak të dështimit tonë kolektiv për ta ndaluar atë. Kjo është një thirrje për reflektim, një thirrje për të mos harruar. Nëse nuk mësojmë nga 2024-ta, rrezikojmë të përsërisim të njëjtat gabime dhe të përjetojmë të njëjtën tmerr. Le të jetë ky një kujtim i dhimbshëm, por i domosdoshëm, se humanizmi nuk mund të jetë një zgjedhje; ai duhet të jetë detyrimi ynë.

Mesazhi ynë për të ardhmen duhet të jetë një dhe i qartë: paqja në botë nuk është vetëm një ëndërr, por një detyrë urgjente për të gjithë ne. Paqe për të gjithë, pa përjashtim! Vetëm duke ndërtuar ura mirëkuptimi dhe solidariteti mund të shmangim përsëritjen e këtyre tragjedive. Le të bëhemi zëri i atyre që nuk kanë zë dhe forca e atyre që janë të pafuqishëm. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një botë ku drejtësia, barazia dhe humanizmi të triumfojnë mbi urrejtjen dhe dhunën. Paqja është e vetmja rrugë për të ardhmen tonë!

Gëzim Qerimi
31.12.2024