Të paktën 200 persona humbën jetën në aksidentin që ndodhi në provincën jugore të Nigerisë Akwa-Ibom si pasojë e shembjes së çatisë të kishës, ndërsa ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet, raporton Anadolu Agency (AA).
“Shumë viktima ndodhen në spitalet private dhe morgjet e kryeqytetit të krahinës Uyoa. Nuk mund të themi me saktësi sa njerëz kanë vdekur deri tani. Në morgun tonë ka mbi 200 trupa”, tha Etete Peter, drejtor i spitalit shtetëror në Uyou.
Peter shtoi se të paktën 50 persona janë shtruar në spital.
Brenda kishës, e cila ishte në fazën përfundimtare të ndërtimit, ndodheshin qindra njerëz, kur u liruan trarët metalik dhe kulmi u shemb. Në momentet e rënies në kishë ndodhej edhe guvernatori kësaj krahine nigeriane Udom Emmanuel, i cili nuk u lëndua në aksident.
Zëdhënësi i guvernatorit Ekerete Udoh tha se kanë nisur hetimet rreth këtij rasti.
Në shtator të vitit 2014, në një shembje të ngjashme gjatë restaurimit të kishës në Lagos, humbën jetën 116 persona.