200.000 besimtarë falën namazin e teravisë në Xhaminë Al-Aksa pavarësisht kufizimeve izraelite

Rreth 200.000 besimtarë palestinezë falën mbrëmë namazin e teravisë në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, pavarësisht kufizimeve izraelite, raporton Anadolu.

Shifra e besimtarëve të pranishëm në kompleksin e shenjtë u raportua nga agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, WAFA, e cila tha se kishte prani të madhe të forcave izraelite në qytetin e vjetër të Kudsit në përpjekje për të penguar hyrjen në xhami.

Ajo shtoi se forcat izraelite vendosën kufizime të mëtejshme për hyrjen në xhami dhe se të paktën 27 besimtarë u arrestuan.

Izraeli ka kufizuar qasjen e besimtarëve palestinezë në Al-Aksa në vazhdën e tensioneve në rritje në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të ofensivës vdekjeprurëse të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.