20 palestinezë të vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës në orët e para të vitit të ri

Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës në orët e para të vitit të ri, kanë humbur jetën 20 palestinezë, shumica fëmijë, dhe shumë të tjerë janë plagosur, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të marra nga burime shëndetësore, një grua dhe një fëmijë kanë humbur jetën në sulmin e kryer në orët e mëngjesit nga ushtria izraelite në kampin e refugjatëve Al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Dëshmitarët njoftuan se shumë njerëz po ashtu u plagosën në sulmin në fjalë të kryer nga një mjet ajror izraelit pa pilot në minutat e para të vitit të ri.

Dëshmitarët thanë se ushtria izraelite goditi me zjarr intensiv artilerie zonat lindore dhe veriore të kampeve të refugjatëve Al-Bureij dhe Nuseirat.

Ndërkaq, ushtria izraelite publikoi një deklaratë duke thënë se disa zona në kampin e refugjatëve Al-Bureij duhet të evakuohen menjëherë pasi Brigadat Kassam hodhën raketa në qytetin Netivot në jug të Izraelit.

Edhe në jug, njësitë e artilerisë izraelite kryen sulme intensive në Al-Fukhari të Khan Younisit dhe rajonin Al-Mawasi të Rafahut.

Ndër të tjera, dëshmitarët okularë raportuan se ushtria izraelite bombardoi një shtëpi që i përkiste familjes “Abu Taime” në Fukhari dhe se të plagosurit janë dërguar në Spitalin Evropian në lindje të Khan Younisit.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, 15 palestinezë, shumica fëmijë, humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e bombardimit nga avionët izraelitë ndaj një shtëpie në qytetin Jabalia në veri.

Dëshmitarët thanë se shumë predha artilerie goditën rajonin Nazla në perëndim të Jabalias dhe se ushtria izraelite shkatërroi ndërtesa dhe lagje në Beit Lahia dhe kampin e refugjatëve Jabalia.

Gjithashtu u tha se ushtarët izraelitë hapën zjarr artilerie në lagjen Siftawi në veriperëndim të Gazës.

Tre persona humbën jetën në sulmet e kryera nga Izraeli me dron në lagjen Al-Manara në juglindje të qytetit Khan Younis.

Avionët izraelitë shënjestruan një hapësirë në lagjen Shuyaiyya në lindje të Gazës. Që nga orët e mëngjesit, sulme me dronë dhe mjete ushtarake janë kryer edhe në lindje të lagjeve Shuyaiyya dhe Shaf.