Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) thotë se së paku 20 civilë, përfshirë fëmijë, janë vrarë nga një sulm ajror në Jemen.
Nga ky sulm i djeshëm është qëlluar një grup i civilëve në rajonin Mavza në provincën jugperëndimore, Taez, thuhet në kumtesën e sotme të UNHCR-së.
Në njoftim thuhet se pjesa më e madhe e të vrarëve besohet se ishin të një familjeje.
“Incidenti i fundit përsëri demonstron për rrezikun ekstrem, me të cilin ballafaqohen civilët në Jemen, e veçanërisht ata që përpiqen të largohen nga dhuna, pasi ata më mënyrë joproporcionale e bartin barrën kryesore të konfliktit”, tha UNHCR.
Banorët thanë se sulmi ishte kryer nga aeroplanët e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër kryengritësve shiitë.
Nga konflikti dyvjeçar ndërmjet kryengritësve shiitë huthi, që janë aleatë të Iranit, në njërën anë, dhe koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që mbështetet nga perëndimi, nga ana tjetër, janë vrarë së paku 10 mijë njerëz në Jemen.
Nga kjo luftë, po ashtu, është shkatërruar pjesa më e madhe e infrastrukturës së këtij vendi dhe kjo ka çuar në përhapje të urisë dhe sëmundjeve.