2 viktima nga zjarret në Greqi, pas më shumë se 10 ditësh në betejë kundër flakëve

Dy persona kanë humbur jetën deri më tani në Greqi teksa përpjekjet për të shuar zjarret vijojnë për të njëmbëdhjetën ditë radhazi.

Një shtyllë elektrike që ka rënë prej zjarrit i mori jetën një zjarrfikësi vullnetar në moshën 38-vjeçare, në një zonë në veri të Athinës, konfirmuan autoritetet.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Athinës, Konstantinos Michalos, u gjet pa shenja jete pranë uzinës së tij në Krioneri, i cili më pas u transportua menjëherë në spital por pa mundur të shpëtojë.
Gjithashtu, dy zjarrfikës janë shtruar në spital në gjendje kritike për jetën. Sipas mediave greke, në total janë 18 të lënduar, shumica prej tyre me probleme me frymëmarrjen dhe me djegie të lehta.

Ndërkohë, dy persona janë arrestuar pasi dyshohen për zjarr vënie të qëllimshme.

Autoritetet kanë ndaluar hyrjen në parqe dhe pyje për shkak të “rrezikut të madh prej zjarreve”.

Të paktën 1,450 zjarrfikës kanë zbritur në terren të shtunën për të luftuar 5 vatra të mëdha zjarri në mbarë vendin.

Në ndihmë të tyre janë vënë në dispozicion edhe 82 zjarrfikës nga Franca dhe 100 nga Ukraina.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka premtuar se zonat e prekura nga zjarret do të pyllëzohen sërish.

“Kur kjo verë prej makthi të mbarojë, do të rregullojmë të gjitha dëmet sa më parë të jetë e mundur”, iu tha gazetarëve teksa u zotua “se zonat e djegura do të kenë prioritet për ripyllëzimin”.