2 mijë e 301 mësimdhënës e 1 mijë e 470 nxënës të prekur me Covid19 në mbarë Kosovën

Covidi-19 që nga fillimi i përhapjes së tij në janar të këtij viti, ka marrë shumë jetë njerëzish, e ka shkaktuar probleme të mëdha ekonomike e të cilat jo rrallë janë thënë se do të duhen vite për t’u rikuperuar.

Ky virus e kjo pandemi, ka prekur sistemet arsimore në mbarë bote, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e vitit të kaluar shkollor deri në qershor të zhvillohej në sistemin online.

Njësoj ka ndodhur edhe në Kosovë.

Mirëpo si qëndron situata aktualisht në sistemin arsimor, në javën e fundit kur nxënësit pritet të përbyllin gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2020-2021?

IndeksOnline ka pyetur në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në lidhje me situatën aktuale të mësimdhënësve dhe nxënësve kosovarë.

Në përgjigjen e dhënë nga Diellza Kukaj, këshilltare politike e ministrit të Arsimit, është bërë e ditur se në tremujorin e fundit nga 14 shatori e deri më 11 dhjetor, janë testuar mbi 15 mijë mësimdhënës, e kanë rezultuar me Covid-19 mbi 2 mijë prej tyre, ndërsa janë shëruar mbi 1 mijë të tjerë.

“Nga raporti tremujor i pranuar nga Inspektorati i Arsimit për mësimdhënësit, personelin tjetër dhe nxënësit e testuar, të infektuar dhe të shëruar gjatë periudhës kohore tremujore (14.09.2020 – 11.12.2020) kemi këto të dhëna: 15.795 mësimdhënës janë testuar për COVID-19; 2.301 mësimdhënës janë infektuar me COVID-19; 1.023 mësimdhënës janë shëruar nga COVID-19”, thuhet në përgjigjen e dhënë për IndeksOnline nga kabineti i ministrit të Arsimit.

Përveç mësimdhënësve edhe një numër i konsiderueshëm i nxënësve janë prekur nga ky virus.

Bëhet fjalë për 1 mijë e 470 nxënës të infektuar me koronavirusin në mbarë Kosovën.

“6.090 nxënës janë testuar për COVID-19; 1.470 nxënës janë infektuar me COVID-19; ndërsa 542 nxënës janë shëruar nga COVIDI-19”, theksohet në përgjigje.

Po ashtu nga stafi mbështetës bëhet e ditur se me Covid-19 janë infektuar 284 persona, ndërsa janë shëruar 182 persona.

Ndryshe Qeveria e Kosovës, ka marrë vendimin, që më 18 dhjetor të përfundojë gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor, e pushimet e nxënësve do të zgjasin një muaj deri më 18 janar.