Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.
Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt.
Pikërisht më 5 mars bëhen 19 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.
Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këdo ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi Legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.
Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jasharaj i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shok e bashkëkombas për t’u solidarizuar me ta. Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.
Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ciceroni, Xhevat Imeri, për KosovaPress ka treguar për ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit të 1998-ës në Prekaz, por edhe për sulmet e mëhershme. Ai për 5 mars kujton Drenicën e rrethuar, ku në shënjestër të këtij rrethimi ishte komandanti Adem Jashari bashkë me familje.
“Pesë marsin e kujtoj si gjithë shqiptarët. Me pesë mars të cilën e gjen Drenicën të rrethuar, por shënjestër e këtij rrethimi ishte familja dhe komandanti Adem Jashari. Duke pasur parasysh ardhjen në krye të Adem Jasharit si komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe duke u munduar që ta shuajnë këtë Lëvizje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, regjimi serb dhe familjen Jashari e kishin në shënjestër që nga viti 1991, më konkretisht me 30 dhjetor të vitit 1991 bëhet edhe sulmi i parë në familjen Jashari. Është ditur që do të ketë pasoja, është ditur që do të ketë sakrifikime por rolin kryesor në jetën e Ademit e ka luajtur familja, sepse familja ishte ajo e cila përkrahi Adem Jasharin, përkrahi idenë e tij, por në anën tjetër kyç luante edhe vallua i madh Rifati”, tha Imeri.
Ciceroni Imeri ka treguar se para 5 marsit, komandantin Adem Jashari e kishin lajmëruar që do të ketë sulme dhe që forcat serbe do t’ia mësynin Skenderajt. Por ai tregon se ishte menduar që fillimisht këto forca do të kalojnë në Llaushë, duke e pasur parasysh se aty ka qenë pjesa më e madhe e njerëzve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mirëpo, këto forca nuk e kishin cak Llaushën, caku i tyre ishte Prekazi. Komandant Ademi, pasi u informua që forcat serbe do të sulmojnë Prekazin, Imeri tregon se ai lajmëroi familjen e tij, ku iu kishte thënë “përhajër na qoftë, se lufta do të fillojë”.
“Luftimet fillojnë me 5 mars të vitit 98 nga qendra e fabrikës së municioneve. Por si fshati, lagja Jashari ka qenë e rrethuar nga të gjitha anët. Arsyeja pse është rrethuar nga të gjitha anët ka qenë fillimisht që të mos lejohen njerëzit që të hynë dhe të dalin për ndihmë, dhe qëllimi kryesor ndoshta ka qenë vrasja e Adem Jasharit. Ata kanë menduar se po të vritet Ademi si kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shuhet edhe Lëvizja Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… Por, si simbol i kësaj lirie, që ne kemi merret familja Jashari, ku e gjitha si familje, duke llogaritur gra, fëmijë bien heroikisht duke e mbrojtur familjet, duke e mbrojtur Kosovën, por bie edhe rrethi më i gjerë i Jasharajve prej 55 vetave ku në mesin e tyre, 32 janë meshkuj, 23 janë femra, dhe 21 prej tyre janë fëmijë. Gjatë periudhës së luftës, në familjen Jashari kanë qenë prezentë 22 anëtarë”, tha Imeri.
Ndërsa, Rifati me tre djemtë, Muratin, Bekimi dhe Lulzimin në atë kohë ishin në Gjermani. Po ashtu, në këtë sulm munguan edhe dy vajzat e Ademit, Shqipja, Marigona dhe dy vajzat e Rifatit, Ilrijana dhe Fazija, pasi që të katërtat ishin plagosura. Më pas ai tregoi se si i mbijetoi vajza e Hamzës Besarta sulmit, e cila mbijetoi duke u strehuar nën magjen ku gatuhej buka.
“Kurse anëtari i dytë dhe i vetëm i cili sheh dhe e përjeton gjithë tmerrin e familjes Jashari, ka qenë Besarta, vajza e Hamzës. Edhe si familje, luftën nuk e kanë paramenduar me gra dhe fëmijë edhe duke e parë dy sulmet e para me të lehta , gratë dhe fëmija kanë qenë të vendosur në podrum, dhe ajo goditja që vie nga mbrapa ka qenë edhe goditja më fatale do të thotë kësaj predhje i mbijeton vetëm Besarta duke kaluar në kuzhinë nënë magje dhe duke qëndruar e strehuar për ato 72 orë. Ajo thotë se si obligim do ta ndjejë gjithë jetën për atë pjesën ku kërkonin ujë me pi. Gjithherë kam provuar t’ua dërgoj, mirëpo thotë se vazhdimisht kishte gjuajtje dhe granatime dhe nuk ka pasur mundësi që t’ua ofroj edhe atë pikë ujë’, ka treguar Imeri.
Por, përveç trishtimit që përjetoi Besarta, sa ishte brenda, ajo u përball edhe me forcat serbe, të cilat kishin hyrë brenda për ta vërtetuar që kishin vrarë Adem Jasharin. Me të hyrë në shtëpi, ata gjetën edhe Besartën që në atë kohë ishte 11-vjeçare. Atë e morën, por Besarta në ato momente pati dhe një lutje për ushtarët serbë, që motrën e saj, Blerinën 7-vjeçare ta merrnin nga dhoma poshtë, pasi ajo ishte e gjallë. Por, edhe përkundër premtimit që iu dha asaj, Blerinës nuk i ofruan ndihmë dhe ajo vdiq, bashkë me anëtarët e tjerë të familjes Jashari.
Ciceroni Imeri thotë se rezistenca është zhvilluar në tërë lagjen Jashari. Më pas ai rrëfeu edhe largimin e forcave serbe nga Kosova, ku me të larguar forcat serbe të mbijetuarit e familjes Jashari që ishin në Gjermani kthehen në Prekaz.
“Fatmirësisht pas largimit të forcave serbe, familja Jashari kthehet nga Gjermania. E kanë filluar një jetë të re, janë martuar katër djem kanë lindur 14 fëmijë, 9 djem dhe pesë vajza me emra të ripërtërirë Shabani, Ademi, Hamza, Zahidja . Dhe tash duke llogaritur nuset që kanë marr, fëmijët që kanë lindur duhet të plotësohet edhe një anëtarë. Si pasuri, familja thotë se pasurinë më të madhe dhe privilegjin më të madh që kemi fituar është populli. Thonë kemi dhënë gjithsej 55 duke llogaritur krejt njerëzit e lagjes si familje, por thonë që kemi fituar 7 milionë duke llogaritur gjithë shqiptarët nga jemi”, tha Imeri.
Për nder të 19 vjetorit të rënies së Adem Jasharit, familjes së tij dhe të tjerëve, sot në Prekaz, si çdo vit, i janë bërë homazhe për të nderuar veprën dhe rezistencën dhe sakrificën e bërë.