Ndërsa ndërmjetësuesit janë shprehur optimistë për një marrëveshje armëpushimi, dhuna ka vazhduar në Rripin e Gazës ku një sulm ajror nga Izraeli ka vrarë të paktën 18 persona, të gjithë nga e njëjta familje.
Sulmi vjen ditë pasi Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri i të vdekurve ka kaluar 40,000 në luftën që ka nisur qe dhjetë muaj në Gaza, dhe disa orë pasi zyrtarë nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari përfunduan bisedimet dyditore me shpresën për të arritur një marrëveshje.
Në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se është paraqitur një propozim për t’i mbyllur boshllëqet mes palëve, duke shtuar se presin të punojnë mbi detajet javën e ardhshme në Kajro.
Sulmi mëngjesin e së shtunës goditi një shtëpi dhe një objekt ngjitur në Gaza ku ishin vendosur njerëz të zhvendosur. Në mesin e të vrarëve ishte edhe një burrë i cili koordinohej me ushtrinë izraelite për të çuar mish e peshk në Gazë. U vranë edhe dy gratë e tij, 11 fëmijët e tij të moshave nga dy deri në 22 vjeç, gjyshja e fëmijëve dhe tre familjarë të tjerë.
Mbi 40 civilë ishin të strehuar në shtëpi në kohën e sulmit, raportoi AP. /koha