Ballina Lajmet Rajon dhe Botë 17 vende anëtare të BE-së dërgojnë ekipe kërkim-shpëtimi në Turqinë e goditur...

17 vende anëtare të BE-së dërgojnë ekipe kërkim-shpëtimi në Turqinë e goditur nga tërmeti

17 vende të Bashkimit Evropian (BE) po ofrojnë ekipe kërkim-shpëtimi në Turqi, pasi një seri tërmetesh shkaktuan shkatërrime të gjera në jug dhe lindje të vendit, si pasojë e të cilave të paktën 2.316 persona humbën jetën, transmeton Anadolu.

Komisioneri evropian për menaxhimin e krizave, Janez Lenarčič, në rrjetet sociale tha se “shpejtësia është thelbësore dhe po ashtu edhe koordinimi ndërkombëtar”.

“Përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, 17 vende evropiane po ofrojnë ekipe shpëtimi”, njoftoi Lenarčič.

Ai theksoi se ekipet e para të shpëtimit nga Rumania, Bullgaria dhe Hungaria kanë mbërritur këtë pasdite në zonat e prekura nga tërmeti.

“Në Siri, ne tani gjithashtu po punojmë ngushtë me partnerët tanë humanitar duke ndërmarrë operacione shpëtimi”, tha Lenarčič.

Më herët, numri i vendeve që ofruan ekipe të kërkim-shpëtimit ishte 13, përfshirë Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Francën, Greqinë, Holandën, Poloninë, Rumaninë, Hungarinë, Italinë, Spanjën, Maltën dhe Sllovakinë.

Sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD), të paktën 2.316 persona humbën jetën dhe 13.293 të tjerë u plagosën pasi dy tërmete të fuqishme goditën rajonet jugore dhe juglindore të Turqisë.

Exit mobile version