Olti Hyseni, 16-vjeçari që ka mahnitur këtë sezon në Danimarkë, ka mohuar në mënyrë kategorike se në të ardhmen mund ta veshë fanellën e Përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Hyseni ka prindër nga Kosova. Por është lindur e rritur në Danimarkë.
Megjithatë, anësori i majtë që debutoi sivjet në kategorinë e dytë të futbollit danez me Sonderjysken, ka thënë se e ndjen veten më shumë danez.
“Nëna ime erdhi në Danimarkë në vitin 1999. Babai im nuk kishte nënshtetësi daneze dhe nuk u lejua të qëndronte. Në vitin 2007 mori lejen e qëndrimit dhe erdhi në Danimarkë, një ditë para se të lindja unë”, ka thënë Hyseni në një intervistë për “Der Nordschleswiger”.
“Kam ndjesinë se ka pak Kosovë në mua, por jam më danez. Unë kam lindur dhe jam rritur këtu dhe të luaj për Kosovën nuk është pjesë e konsideratës sime. Ndihem danez, dhe Danimarka ka gjithashtu kombëtaren më të mirë”, ka thënë golashënuesi më i ri në historinë e Sonderjysket.
Para një viti, Hyseni asokohe 15-vjeçar nënshkroi kontratë trevjeçare me Sonderjysken. Debutoi sivjet. Ka luajtur në gjashtë ndeshje, ku ka shënuar dy gola dhe një asistim. Sonderjyske është në rrugë të mirë për t’u ngjitur në elitën daneze sezonin e ri.
Hyseni ka katër ndeshje me Danimarkën U16 dhe tre me U17. Para dy ditësh, Hyseni shënoi në ndeshjen vendimtare që e kualifikoi Danimarkën U17 në Evropian.