16 raste të reja me koronavirus në Shqipëri

Ka shkuar në 377 numri i të prekurve në vend nga covid-19.

16 raste të reja, janë regjistruar 24 orët e fundit.

Dr. Mira Rakacolli, Zv/Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dha detajet:

Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.

Në 24 orët e fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 2571 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 377 raste.
Janë testuar gjithashtu 11 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të gjithë negativë nga COVID-19.
Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 21 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.

Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 116. Pra rreth 30% e të prekurve deri tani rezultojnë të shëruar.

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 73 pacientë.