14 vjeçari nga Podujeva fiton vendin e katërt në Kampionatin Botëror në Breakdance

Sukseset e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare nuk kanë të ndalur. Sportistët tanë po ia kthejnë imazhin Kosovës.

Njëri ndër ta është Plarent Kiçmari me prejardhje nga Podujeva.

Në Kampionatin Botëror të Breakdancer dhe Hiphopit “IDO-Worldchampionship 2019“ në Bremerhaven të Gjermanisë të zhvilluar javën e kaluar 14-vjeçari Plarent Kiçmari, arriti të jetë ndër breakdancet më të mirë të botës, ngase ai fitoi vendin e katërt, pas kualifikimit të tij si kampion i Gjermanisë në kategorinë “Solo Junior Breakdance“ të moshës 12-16 vjeç.

Konkurrenca ndërkombëtare ishte e madhe, por në fund, Plarenti pavarësisht që nuk arriti të kurorëzohet me medalje mahniti të gjithë me performancën e tij duke përfunduar në vendin e katërt.

Pas performancës së tij të shkëlqyeshme, falënderimet e Plarentit shkojnë për trajnerin e tij dhe të gjithë fansat e tij e klubit te tij, që e përcjellin në disa kampionate vazhdimisht.

Por, Plarenti nuk do të ndalet me kaq, ai vazhdon trajnimin e tij, pasi që synim i tij është që vitin e ardhshëm të fitojë vendin parë.

Për suksesin e tij të jashtëzakonshëm kanë shkruar edhe mediet lokale në Gjermani.