Ballina Lajmet Rajon dhe Botë 14 mijë fëmijë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza që nga...

14 mijë fëmijë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori

Të paktën 14.000 fëmijë janë në mesin e të paktën 31.810 palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga tetori, tha sot zyra mediale e qeverisë në enklavën palestineze, transmeton Anadolu.

Forcat izraelite kanë kryer 2.807 masakra në Gaza që nga 7 tetori 2023, tha zyra në një raport të ri.

Ajo njoftoi se në mesin e viktimave gjenden gjithashtu të paktën 9.220 gra, ndërsa 7.000 kanë mbetur nën rrënoja ose janë të zhdukur.

Raporti thotë se 72 për qind e viktimave janë gra dhe fëmijë, ndërsa 27 njerëz kanë vdekur gjithashtu nga kequshqyerja pasi Izraeli ndalon hyrjen e ndihmës humanitare shumë të nevojshme në territorin e bllokuar.

Zyra tha se nga të vrarët, 364 janë punonjës shëndetësorë, 48 oficerë të mbrojtjes civile dhe 135 gazetarë.

Rreth 17.000 fëmijë në Gaza janë tani pa një ose të dy prindërit e tyre për shkak të sulmeve të pamëshirshme që Izraeli ndërmori si përgjigje ndaj një inkursioni ndërkufitar nga Hamasi në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.

Zyra e medias tha se 11.000 njerëz me lëndime kërcënuese për jetën duhet të trajtohen jashtë Gazës, ndërsa 10.000 pacientë me kancer janë në rrezik për shkak të shërbimeve të papërshtatshme shëndetësore.

Gjendja e rreth 60.000 grave shtatzëna dhe 350.000 personave me sëmundje kronike është cilësuar si kërcënuese për jetën.

Sipas statistikave, më shumë se 70.000 shtëpi janë shkatërruar plotësisht nga bombardimet izraelite, ndërsa 290.000 shtëpi janë dëmtuar dhe janë bërë të pabanueshme.

Po ashtu theksohet se ushtria izraelite ka shkatërruar 168 objekte qeveritare dhe 100 shkolla dhe universitete, ndërsa 305 shkolla dhe universitete janë dëmtuar pjesërisht.

Raporti thekson se sulmet kanë dëmtuar gjithashtu 290 xhami, 224 prej të cilave janë shkatërruar plotësisht, ndërsa po ashtu janë shënjestruar 155 institucione shëndetësore.

Exit mobile version