Ballina Lajmet Kosovë 13 mijë automjete me targa prej letre

13 mijë automjete me targa prej letre

Rreth 13 mijë automjete në Kosovë janë duke qarkulluar me targa prej letre. Para pak kohësh Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka zgjedhur kompaninë fituese për “Furnizim me tabela”. Por kompanitë e pakënaqura janë ankuar në OSHP, e ku kjo e fundit ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë çështje, shkruan sot, gazeta Zëri.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ende nuk ka dhënë vendimin përfundimtar nëse ka pasur apo jo shkelje në tenderin për “Furnizim me tabela të automjeteve”, të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB).

Zyrtarë të MPB-së kanë thënë se janë duke e pritur raportin përfundimtar nga OSHP-ja, ku në bazë të këtij vendimi ato do të vazhdojnë me hapa të mëtutjeshëm.

Rroksana Qarri, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka thënë se kanë pranuar raportin e ekspertit shqyrtues të OSHP-së ku, sipas saj, shumë shpejt do të pranojnë edhe vendimin përfundimtar nga ky organ.

“Autoriteti kontraktues – MPB-ja, më datën 09 gusht 2016 ka bërë publikimin e njoftimit për dhënien e kontratës në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, por pas pranimit të ankesave kemi pranuar vendimin për pezullim nga OSHP-ja.

Gjithashtu kemi pranuar edhe raportin e ekspertit shqyrtues – OSHP-së, kurse tani jemi në pritje të vendimit përfundimtar të panelit shqyrtues – OSHP-së, vendim të cilin shpresojmë së shpejti do ta pranojmë, të cilin pastaj jemi të obliguar ta zbatojmë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, afati me tabela provuese do të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi të ri nga ana e Ministrisë.

Exit mobile version