Ballina Artikuj 13 kosovarë vdiqën në vendin e tyre të punës gjatë këtij viti,...

13 kosovarë vdiqën në vendin e tyre të punës gjatë këtij viti, shtatë në ndërtimtari

Vdekja e punëtorëve në vendin e tyre të punës është një dukuri që përveç shqetësuese, ka qenë që disa vite aktuale në Kosovë.

Rasti i fundit ka ndodhur të martën në Prishtinë, ku në rrethana tragjike ka vdekur një punëtor në një ndërtesë, shkruan lajmi.net.

Sipas Kryetarit të Sindikatës të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemit, duke e llogaritur rastin e së martës, që nga fillimi i muajit janar të 2021, janë shënuar gjithsej 13 vdekje, ku shtatë prej tyre kanë qenë punëtorë të ndërtimtarisë dhe pesë prej tyre janë të profileve të ndryshme.

“Nëse e llogarisim edhe rastin e të martës, gjithsej gjatë vitit 2021 kanë vdekur 13 punëtorë, ku shtatë prej tyre janë punëtor të ndërtimtarisë dhe pesë prej tyre janë të profileve të ndryshme”, tha Azemi për lajmi.net.

Azemi u shpreh se viti 2018 është viti me rekordin më të lartë të numrit të vdekjeve të punëtorëve në punë, me gjithësej 27, ndërsa sipas tij, 2019 ka shënuar 17 vdekje të punëtorëve dhe 2020 me gjithësej 15 punëtorë.

“Unë i kam para vetes statistikat dhe 2018 fatkeqësisht ka qenë rekordi i numrit të vdekjeve në punë, domethanë ka qenë 27 punëtorë, në vitin 2019 kanë vdekur 17 punëtorë, në vitin 2019 janë 15 punëtorë”, tha ndër të tjera ai.

Azemi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të krijohet një fond i veçantë për të gjithë punëtorët e sektorit privat.

“Ndoshta nuk ka vend për apel po më shumë kisha me thane një njoftim për punëtorët e sektorit privat, ju baj me dije qe edhe pas shume ktyre vdekjeve në vendet e tyre të punës edhe pse me dekada të tilla kemi kerkuar inspektorati i punës të jetë më vixhilent dhe të mbikëqyr ligjin mbi sigurinë dhe shendetin në punë, që së paku në këto momente të rënda të familjes që humbin më të afermit e tyre kemi kërkuar që të kemi një fond të veçantë për punëtorët të cilët vdesin në vendin e tyre të punës”, tha gjatë kërkesës së tij Azemi.

“Sepse për vdekje të ndryshme Qeveria e Kosoves po financon me 5 mijë e 10 mijë e 15 mijë euro por për punëtorët të cilët po humbin jetë në vendin etyre të punës Qeveria e Kosovës jo që nuk ka dhimbje për ta por edhe në atë rast nuk kthejnë kokën se çka po ndodhë absolutisht me ta”, tha Azemi.

Sipas Azemit, kërkesa primare është krijimi i një fondi që familja mos ta ketë barrë ceremoninë e varrimit.

“Nuk janë duke e bërë edhe më të voglën punë ligjore sepse nuk ka ndonjë fond te veqantë, sepse ka raste kur këta punëtorë nuk kanë kushte te mira jetësore, ku punëtorët që punojnë me të mundohen qe të kryejnë ceremoninë e varrimit ashtu pak a shumë siç i ka hije, dhe është hera e 100 ku kemi kërkuar dhe prapë po kërkojmë të jetë një fond qe së paku familja mos ta ketë ngarkesë një ceremoni të varrimit për çdo punëtor të sektorit privat të Kosovës”, përfundoi Azemi.

Exit mobile version