Ballina Video Ligjërata 13 gjëra që sjellin shtimin e pasurisë

13 gjëra që sjellin shtimin e pasurisë

Shkaqet që sjellin furnizimin

Shumica e njerëzve në këto kohë ankohen nga furnizimi i pakët, apo më mirë të themi nga mos bereqeti dhe vështirësitë e shumta në jetë. Kështu që, kërkimi i furnizimit dhe rregullimi i jetës i mundon dhe pikëllon shumë njerëz, madje shumë prej tyre ndjekin çdo formë dhe rrugë për arritjen e tij. Njëri mashtron, tjetri vjedh, ai merret me kamatë, i treti derdh gjak dhe ndërpret lidhjet familjare, ndërpret zbatimin e urdhrave të Allahut, i katërti… vetëm e vetëm që t’ju përgjigjet kërkesave të veta dhe të familjes.

Të tillët kanë harruar se Allahu i Madhëruar i ka treguar robërve të Tij shkaqe të cilat sjellin furnizim dhe u ka premtuar se nëse u përmbahen atyre do t’i furnizojë me furnizim nga as që u shkon mendja fare.

  1. Devotshmëria

Allahu i Lartësuar e ka bërë devotshmërinë prej shkaqeve të cilat e sjellin dhe e shtojnë furnizimin, andaj dhe ka thënë: “E kush iu përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” Talak, 2-3.

Secili që i përmbahet dispozitave të Allahut dhe kërkon gjithmonë kënaqësinë e Tij në çdo kohë, Ai do ta shpërblejë në këtë dhe botën tjetër, e nga shpërblimi është edhe t’i hapë atij rrugëdalje nga çdo vështirësi e, njëkohësisht, ta furnizojë nga se kujton ai.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ai që i përmbahet dispozitave të Allahut, e largohet nga ajo që Ai i ndaloi, atij i hap rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare”.

Ndërsa Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Kush i përmbahet dispozitave të Tij, e shpëton nga çdo pakënaqësi në këtë dhe në botën tjetër dhe e furnizon nga nuk e kujton dhe shpreson fare”.

Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan.” Araf, 96.

Abdurrahman Sadi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar me besim të vërtetë në atë mënyrë që veprat të dëshmonin për besimin e tyre dhe t’i përmbaheshin dispozitave të Tij, haptas dhe fshehtas, me lënien e gjithë asaj që ndaloi Allahu, do t’i hapte begati nga qielli e toka, do t’i lëshonte shi nga qielli, e do të mbillte nga toka që ata të jetonin e të jetonin edhe kafshët një jetë të mirë e të begatshme, duke mos u lodhur shumë…”

Mirëpo parashtrohet pyetja se ç’është devotshmëria, të cilën Allahu i Lartësuar e ka bërë shkak për sjelljen e furnizimit dhe ka lajmëruar se i furnizon të devotshmit?

Devotshmëria është të bësh në mes teje dhe asaj që të dëmton mbulesë dhe mbrojtje në mes teje dhe mes asaj që të dëmton, t’i përmbahesh asaj që Allahu të ka urdhëruar dhe largohesh asaj që të ka ndaluar, mos të të gjejë aty ku të ka ndaluar e mos të të humbasë aty ku të ka urdhëruar. Motoja jote të jetë, dhe duhet të jetë, urdhëresat dhe ndalesat e Tij. Këto janë edhe përkufizime të të parëve tanë lidhur me devotshmërinë.

Rreth devotshmërisë Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Të respektohet Allahu e mos t’i bëhet mëkat, të përmendet e mos të harrohet, të falënderohet e mos të përbuzet”.

Ndërsa Talk bin Habib thotë: “Devotshmëria është të veprosh duke respektuar Allahun mbi dritën e Tij, duke shpresuar shpërblimin e Tij dhe t’i braktisësh mëkatet ndaj Allahut mbi dritën e Tij, duke pasur frikë dënimin e Tij’.

Ndërsa Ebu Hurejra është pyetur rreth devotshmërisë dhe është përgjigjur duke thënë: “A ke ecur ndonjëherë në rrugë me gjemba? Po- i është thënë. E ai tha: “Si ke vepruar?” Kur kam hasur në to jam larguar ose kam tejkaluar atë vend.” Atëherë ai tha: “Kjo pra është devotshmëria.”

Vëlla i dashur, nëse kërkon zgjerim të furnizimit dhe jetë të mirë, bëhu i devotshëm, e kije frikë Allahut në të gjitha punët, në çdo çast, në shtëpinë tënde, në vendin e punës, në familje e fëmijët e tu, të përkujdesesh për gjuhën tënde, t’i përmbahesh urdhrave të Zotit tënd e të largohesh ndalesave të Tij.

  1. Kërkimi i faljes dhe pendimi

Prej shkaqeve që sjellin furnizim janë edhe istigfari (kërkimi i faljes) dhe pendimi. Allahu i Lartësuar duke na lajmëruar për profetin Nuh (alejhi selam) thotë: “Unë u thashë: ‘Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk. ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj’” . Nuh, 10-12.

Kurtubi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Në këtë ajet kuranor dhe atë në Hud, ka argument se kërkimi i faljes është shkak për shtimin e furnizimit dhe zbritjes së shiut”.

Ndërsa Ibn Kethiri thotë: “Nëse pendoheni tek Allahu, kërkoni faljen dhe përmbaheni dispozitave të Tij, ju shtohet furnizimi dhe ju lëshon shi nga qielli me bollëk, ju jep të mira nga toka, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte me fruta të ndryshme e me lumenj që rrjedhin në to”.

Transmetohet nga Mutrafe ky nga Shabiu se prijësi i besimtarëve, Umer ibn Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) doli dhe lutej për shi, nuk shtoi asgjë tjetër përveç istigfarit (kërkimit të faljes) derisa u kthye. I është thënë: “Nuk të kemi dëgjuar duke u lutur. Ai lexoi fjalën e Allahut: “Unë u thashë: ‘Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk”.

Një njeri i është ankuar Hasan Basriut për thatësinë, e i tha: “Kërko falje tek Allahu”. Tjetri është ankuar për varfëri, e i tha: “Kërko falje”. I treti i tha: “Lute Zotin që të më dhurojë fëmijë!” E ai i tha: “Kërko falje!” I katërti është ankuar për thatësinë e kopshtit të tij, e i tha: “Kërko falje Allahut”. Atëherë i thanë: “Të erdhën disa burra me ankesa të ndryshme e të gjithë i urdhërove me kërkim të faljes së Allahut, ai u tha: “Nuk u kam thënë asgjë nga vetja ime, Allahu i lartësuar në suren Nuh thotë: “Unë u thashë: ‘Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj’’’. Nuh, 10-12.

Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë për Hudin (alejhi selam) se i ka thënë popullit të tij: “O populli im, kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthehuni Atij! Ai ju lëshon shi me bollëk dhe fuqisë suaj i shton fuqi. E mos refuzoni e të bëheni mëkatarë!” Hud, 52.

Ibn Kethiri thotë: “Hudi (alejhi selam) e urdhëroi popullin e tij të kërkojë falje, që në atë mënyrë t’ju falen mëkatet e kaluara dhe i urdhëroi me pendim për ato të ardhme. E kush pajiset me këto cilësi, Allahu ia lehtëson furnizimin, i lehtëson brengat e tij dhe e ruan nga çdo gjë e keqe’’.

Gjithashtu, Allahu i lartësuar thotë: “E të kërkoni falje Zotit tuaj dhe pendohuni (kthehuni) te Ai, se Ai do t’ju mundësojë përjetime të mira (në këtë jetë), deri në një afat (të caktuar) dhe çdo punëmiri i jep shpërblimin e merituar. Në qoftë se refuzojnë (të kërkojnë falje), unë pra kam frikë për ju, dënimin e ditës së madhe.” Hud, 3.

Në këtë ajet kuranor, Allahu i Lartësuar ka premtuar se kush kërkon falje tek Ai dhe i kthehet Atij, Ai do t’i mundësojë përjetime të mira në këtë jetë, e prej tyre janë edhe shtimi i furnizimit dhe jeta e mirë.

Ndërsa i Dërguari i Allahut thotë: “Kush e shpeshton kërkimin e faljes Allahu atij do t’i shndërrojë çdo brengë në qetësi, çdo ngushticë në rrugëdalje dhe e furnizon nga as nuk e mendon fare’’. Shënon Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Vëlla i dashur, nëse kërkon shtim në furnizim, jetë të begatshme, atëherë nxito në kërkimin e faljes, me fjalë dhe vepra, e jo vetëm me fjalë, sepse kjo është cilësi e atyre që nuk janë të sinqertë.

  1. Mbështetja në Allahun e Lartësuar

Nuk ka dyshim se mbështetja në Allahun e Lartësuar është prej shkaqeve që sjellin furnizim. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij. Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” Talak, 3. Kush e lidh zemrën e tij me Allahun, në sjelljen e të mirave dhe largimin e të këqijave, e dorëzon çështjen e tij Allahut, Ai i mjafton atij, i largon brengat e tij dhe e furnizon.

Ndërsa i Dërguari i Allahut thotë: “Sikur ju të mbështeteni tek Allahu me një mbështetje të vërtetë, do t’ju furnizonte sikur e furnizon shpendin, del në mëngjes i uritur e ngryset i ngopur’’. Shënon Amedi, Tirmidhiu.

Ibn Rexhepi (Allahu e mëshiroftë) thotë se ky hadith është esencë në mbështetjen e Allahut dhe është një prej shkaqeve më të mëdha në sjelljen e furnizimit. Ndërsa prej gjeneratave të para thoshin se mbështetu në Allahun që të vijë furnizimi duke mos u lodhur.

Mbështetja në Allahun është shfaqja e dobësisë para Tij dhe të mbështeturit vetëm tek Ai.

Realiteti i mbështetjes tek Allahut, siç thotë Ibn Rexhepi, është mbështetja e zemrës tek Allahu me një sinqeritet të vërtetë, në sjelljen e të mirave dhe largimin e të këqijave, qoftë në këtë apo botën tjetër, si dhe dorëzimi i të gjitha çështjeve Allahut, besimi se nuk jep, privon, nuk sjell dobi e nuk e largon të dëmshmen vetëm se Allahu i Lartësuar.

Mbështetja tek Allahu nuk do të thotë braktisja e shkaqeve, sepse Allahu ka urdhëruar në marrjen e shkaqeve së bashku me mbështetjen tek Ai, pasi kërkimi dhe ecja pas shkaqeve me trup është zbatim i urdhrave ndaj Allahut, ndërsa mbështetja me zemër tek Ai është shenjë e besimit. Allahu thotë: “O ju që besuat, rrini të përgatitur (të armatosur).” Nisa, 71.

Gjithashtu thotë: “E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake) e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të.” Enfal, 60.

Po ashtu thotë: “E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut.” Xhumua, 10.

Prej muslimanit kërkohet që të kujdeset e t’i marrë shkaqet, por duke mos u mbështetur vetëm në to, dhe se furnizimi është prej Tij.

  1. Ruajtja e lidhjeve familjare

Prej shkaqeve që sjellin furnizimin është edhe ruajtja e lidhjeve familjare. Lidhur me këtë kemi hadithe të shumta që flasin, prej tyre mund të përmendim hadithin që e transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Kush dëshiron që t’i shtohet furnizimi, le t’i ruajë lidhjet familjare”. Shënon Buhariu. Një hadith të ngjashëm e transmeton edhe Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!)

Gjithashtu, në hadithin të cilin e transmeton Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i Dërguari (salahu alejhi ue selem) thotë: “Ai që dëshiron t’i zgjatet jeta, t’i shtohet furnizimi e t’i largohet e keqja, le të ketë frikë Allahut dhe le t’i ruajë lidhjet familjare’’. Shënon Ahmedi, ndërsa Ahmed Shakir thotë se hadithi është i vërtetë.

Ndërsa Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Ai i cili ia ka frikën Allahut dhe i ruan lidhjet familjare, i zgjatet jeta, i shtohet pasuria dhe atë e duan të afërmit”.

Në këto hadithe, i Dërguari (salahu alejhi ue selem) ka sqaruar se ruajtja e lidhjeve familjare sjell fryte të shumta, prej tyre është edhe shtimi i furnizimit, zgjatja e jetës, largimi i të këqijave dhe është shkak i dashurisë reciproke.

Ruajtja e lidhjeve familjare bëhet në mënyra dhe forma të shumta, si vizita e tyre, dhurata të ndryshme, interesimi për ta, dhënia e lëmoshës ndaj të varfërve të tyre, sjellja e butë me të pasurit, respekti ndaj të moshuarit, ftesa e tyre dhe mikpritja e këndshme, pjesëmarrja në gëzimet e tyre dhe ngushëllimi i tyre në raste të fatkeqësisë, lutjet e mira për ta, zemërgjerësia, përgjigja ndaj ftesës së tyre, vizita e të sëmurëve të tyre, ftesa e tyre nga udhëzimi i Allahut, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja; gjithashtu ndihma e tyre materiale, ndihma e tyre në raste nevoje, takimi i tyre me fytyrë të buzëqeshur e forma e mënyra të shumta.

  1. Shpenzimi i pasurisë në rrugën e Allahut

Në Kuran dhe Sunetin e të dërguarit gjejmë shumë argumente, të cilat dëshmojnë se dhënia e pasurisë në rrugën e Allahut është prej shkaqeve që sjellin furnizim. Prej tyre mund të përmendim:

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj! S’ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij, e çdo që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është Dhuruesi më i madh.” Sebe, 39.

Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Çfarëdo që të jepni nga pasuria juaj, në atë çka ju ka urdhëruar dhe lejuar, Ai do t’ju kompensojë juve në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do t’ju shpërblejë me shpërblime të shumta.

Gjithashtu, fjala e Allahut: “O ju që besuat! Jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dinë se Allahu s’ka nevojë për ju, është i Madhëruar. Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija, e Allahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; Allahu është Dhurues i madh, i Dijshëm.” Bekare, 267-268.

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Dy janë nga Allahu, ndërsa dy nga shejtani (djalli). ‘Djalli ju frikëson nga varfëria’, ju thotë mos jepni pasurinë tuaj, sepse ju keni nevojë për të ‘Dhe ju urdhëron për të këqija’ Ndërsa, ‘E Alllahu ju garanton falje (mëkatesh)’ ndaj këtyre mëkateve, ‘e begati’ në furnizim. Falja e mëkateve është mbulim i tyre në këtë dhe në botën tjetër, ndërsa “begatia’’është furnizim dhe shtimi i tij në këtë botë dhe begatitë e shumta në botën tjetër.

Ndërsa i Dërguari i Allahut thotë: “Allahu i Lartësuar thotë: ‘O bir i Ademit, jep të të jap Unë’” Shënon Muslimi. Gjithashtu, fjala e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem): “Në çdo ditë të re, kur zgjohen robërit, zbresin dy engjëj e thonë: ‘O Zot, kompensoji atij që jep e shkatërroje atë që nuk jep’.’’Shënon Buhariu.

 

Po ashtu fjala e tij: “Jep o Bilal, e mos iu frikëso pakësimit”. Shënon Bejhekiu, ndërsa Albani thotë se hadithi është i vërtetë.

Të gjitha këto hadithe nxisin në dhënien e pasurisë në vende të mira, e në të njëjtën kohë janë përgëzuese për ata të cilët japin, me kompensim nga ana e Allahut të Lartësuar dhe avancimin e atij që jep në zemrat e njerëzve.

  1. Kryerja e haxhit dhe umres

Ndjekja në mes haxhit dhe umres është njëra prej shkaqeve të shtimit të furnizimit dhe lehtësimit të punëve.

Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënqaur me të!) transmeton se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Pasoni në mes të haxhit dhe umres, sepse ato largojnë varfërinë dhe mëkatet …’ Shënon Tirmidhiu dhe Nesai.

E pasimi në mes të haxhit dhe të umres, këtu, ka për qëllim nëse e kryeni haxhin, atëherë pasoni atë me umre, e nëse e kryeni urren, atëherë pasoni atë me haxh, kështu që njëra e pason tjetrën. Allahu e di më së miri.

  1. Bamirësia ndaj të dobëtëve

I dërguari i Allahut ka shpjeguar se Allahu i furnizon robërit e Tij dhe i ndihmon ata në saj të ndihmës dhe bamirësisë së tyre ndaj të dobëtëve. Musab ibn Sad transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Ju nuk ndihmoheni dhe furnizoheni vetëm me ndihmën tuaj ndaj të dobëtëve.” Shënon Buhariu.

Gjithashtu, Ebu Derda (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë se e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut duke thënë: “Më kërkoni tek të pafuqishmit tuaj, e ju furnizoheni dhe ndihmoheni për shkak të tyre.” Shënon Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, ndërsa Albani thotë se hadithi është i vërtetë.

Andaj, të dobëtit dhe të pafuqishmit, për të cilët i dërguari i Allahut ka thënë se ndihma e tyre është shkak për furnizim dhe ndihmë kundër armikut, ata janë të llojllojshëm e, po ashtu, ndihma ndaj tyre është e llojllojshme. Prej tyre ka që janë të varfër, të gjorë e të mjerë, bonjakë, të sëmurë… Gjithashtu, bamirësia ndaj tyre është e llojllojshme, kështu që bamirësia ndaj të varfrit bëhet me ndihmë materiale dhe dhurata, po ashtu ndaj jetimit dhe të vejave, të sëmurëve me vizitën e tyre dhe nxitjen e tyre në durim e të shpresojnë në shpërblimin e Allahut…

Vëlla i dashur, nëse kërkon ndihmën e Allahut dhe furnizimin e tij, atëherë nderoi dhe përkujdesu për ta. E dije se sjellja e keqe dhe mosndihmesa e tyre është shkak i ndalimit të furnizimit dhe ndihmës së Allahut. Ndërsa në suren Kalem në tregimin e pronarëve të kopshtit ka mësime të shumta lidhur me këtë.

  1. Përkushtimi ndaj adhurimit

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Vërtet, Allahu thotë: ‘O bir i Ademit, përkushtohu adhurimit ndaj Meje, të pasuroj e ta largoj varfërinë…’’ Shënon Tirmidhiu dhe ibn Maxhe.

Mirëpo përkushtimi ndaj adhurimit të Allahut nuk do të thotë braktisja e punës dhe braktisja e kërkimit të furnizimit dhe qëndrimi vetëm në xhami ditë e natë, por qëllimi është që njeriu të jetë me zemër dhe trup të pranishëm gjatë kryerjes së adhurimeve, duke pasur frikë Allahut gjatë adhurimeve të tij.

  1. Shpërngulja në rrugën e Allahut

Ashtu siç ka thënë Allahu: “Kush shpërngulet për hir të (të fesë) Allahut, ai gjen mundësi të madhe dhe begati në tokë. E kush del prej shtëpisë si migrues te Allahu dhe i dërguari i Tij dhe e zë vdekja (në rrugë), te Allahu është mëshirues, i mbulon të metat.” Nisa, 100.

Ibn Abasi dhe të tjerë kanë thënë se begati do të thotë begati në furnizim, ndërsa Katade ka thënë se kuptimi i begatisë është begati nga humbja në udhëzim dhe nga varfëria në pasuri.

  1. Falënderimi i Allahut

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe (përkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: ‘Nëse falënderoni, do t’ua shtojë të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë’”. Ibrahim, 7.

Andaj siç shihet nga ky ajet kuranor, Allahu i Lartësuar shtimin e të mirave e ka kushtëzuar me falënderim, e shtimi nga Allahu i Lartësuar është i pakufishëm.

11. Martesa

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij. Allahu është Bujar i madh, i Gjithëdijshëm.” Nur, 32.

Ndërsa Umer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte: “E çuditshme është çështja e atij i cili nuk e kërkon begatinë në martesë, sepse Allahu thotë: ‘Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij’”.

12. Braktisja e mëkateve, të përqendruarit në fenë e Allahut dhe zbatimi i urdhrave të Allahut

E padyshim, se ky është shkaku kryesor dhe më i rëndësishëm, sepse furnizimi nuk vjen, vetëm se me zbatimin e urdhrave të Allahut të Madhërishëm. Nuk privohesh nga furnizimi i mirë vetëm me mëkate, sepse mëkatet janë dyer më të mëdha që i mbyllin dyert e furnizimit dhe ia vështirojnë jetën.

Allahu i Madhërishëm thotë: “Sikur ata (idhujtarët) t’i përmbaheshin rrugës së drejtë, Ne do t’iu lëshonim atyre ujë me bollëk”. Xhin, 16.

Sikur t’i përmbaheshin urdhrave të Allahut dhe rrugës së vërtetë, rrugës së besimit dhe udhëzimit dhe janë besimtarë të vërtetë e të respektueshëm, Allahu do t’u dhuronte të mira të shumta në këtë dhe në botën tjetër.

Vëlla i dashur, dije se mëkatet i zhdukin begatitë e pranishme dhe janë shkak për ndërprerjen e begative në të ardhmen, sepse nuk ruhen begatitë e pranishme, sikurse me zbatim të urdhrave të Allahut dhe çka ka tek Allahu nuk arrihet vetëm me zbatimin e urdhrave të Tij

Allahu i Madhërishëm për çdo gjë ka përcaktuar shkak dhe sëmundje. Shkaku i cili i sjell të mirat dhe sëmundja i largon, në këtë mënyre zbatimi i urdhrave të Tij është shkak i sjelljes së begative të shumta, ndërsa mëkatet janë sëmundja që i pengon begatitë.

Vëlla i dashur, nëse kërkon shtim në furnizim dhe jetë të begatshme, braktisi mëkatet.

Exit mobile version