Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza që nga shpallja e armëpushimit është rritur në 123, transmeton Anadolu.
Drejtoria e Mbrojtjes Civile njoftoi se sulmet izraelite në të gjitha zonat e Rripit të Gazës që nga shpallja e armëpushimit të mërkurën kanë vrarë të paktën 123 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 270 të tjerë. Ndër viktimat, 33 ishin fëmijë dhe 33 gra.
Vdekjet e fundit ishin pesë palestinezë, gra dhe fëmijë të së njëjtës familje, të cilët u vranë kur forcat izraelite bombarduan një tendë që strehonte civilë të zhvendosur në zonën Al-Mawasi, në perëndim të qytetit Khan Younis në Rripin e Gazës jugore.
Zona Al-Mawasi, i përcaktuar nga ushtria izraelite si një “zonë e sigurt humanitare”, ka dëshmuar sulme të përsëritura ndaj civilëve të zhvendosur pavarësisht garancive të tilla.
Sipas dëshmitarëve okularë, forcat izraelite gjithashtu filluan sulme ajrore dhe sulme të artilerisë në pjesë të tjera të qytetit Khan Younis.
Në Gazën qendrore, një dron izraelit hodhi një bombë në një shtëpi pranë spitalit Al-Awda në kampin e refugjatëve Nuseirat, duke i vënë flakën ndërtesës. Granatime sporadike u raportuan edhe në pjesën veriperëndimore të kampit Nuseirat.
Edhe Gaza veriore dëshmoi një vazhdim të bombardimeve të rënda, veçanërisht në Jabalia ku forcat izraelite kanë shkatërruar ndërtesa banimi dhe kanë kryer një operacion intensiv ushtarak për më shumë se tre muaj.
Dhuna erdhi mes përgatitjeve për zbatimin e një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja.
Të mërkurën, Katari njoftoi një marrëveshje armëpushimi prej tre fazash për t’i dhënë fund më shumë se 15 muajve të sulmeve vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës, me armëpushimin e vendosur të hyjë në fuqi të dielën në orën 06:30 (GMT).
Të paktën 46.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë janë vranë dhe më shumë se 110.600 të tjerë janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste në ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.