Përhapja e koronavirusit në Kosovë ka nisur që t’i tregojë efektet e para edhe në ekonominë e vendit. Mbi 10 milionë euro në ditë është bërë e ditur se humb ekonomia e Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, tha se po shkaktohen 10 milionë euro dëme në baza ditore në vend për shkak të situatës me koronavirus.
Sipas tij, nëse kjo situatë zgjatë edhe tre muaj humbjet do të jenë deri në 1 miliard euro.
Rukiqi përmendi se ka rënie të qarkullimit deri në 20% në sektorin e ndërtimit dhe prodhimit.
“Kjo është jashtëzakonisht shumë për ekonominë tonë nëse kjo zgjat deri në 3 muaj që janë diku 1 miliard euro dëme në ekonominë e vendit”, tha ai.
Rukiqi tha se propozimi i Ministrisë së Financave që punëtorët e sektorit privat të kompensohen me nga 170 euro, është e pamjaftueshme.
“Rritja ekonomike e parashikuar me 4.5% do të ulet 1.5%, gjendja është shumë serioze. Ne kemi kërkuar që propozimi të bëhet vendim dhe mjetet të futen menjëherë po ashtu të vinë me një pako qe nuk është emergjente, por rimëkëmbje të ekonomisë”.
“Është një hap pozitiv, por ka nevojë të përmirësohet në disa pjesë, 170 është marr paga minimale dhe po mendoj qe kjo është e ulët dhe ne besojmë që të ketë 289 euro që pak a shumë është një mesatare ndërmjet sektorit publik”.
“Është propozuar që 30 milionë euro të jepen për qarkullim që të merren nga bizneset, por që ato të kthehen në një afat tjetër, por kjo është një shumë e vogël dhe ne mendojmë që të jetë 100 milionë dhe afati të jetë deri në qershor të vitit të kaluar”, tha ai.
Rukiqi tha se këtë muaj 120 mijë punëtorë rrezikojnë të mos marrin paga, ose t’i marrin ato të përgjysmuara.
Ai ka shtuar se kjo është pasojë e mbylljes së bizneseve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“Te sektorët sikur ndërtimi dhe prodhimi kemi rënie të qarkullimit deri më 20%, pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë janë prekur direkt ose indirekt. Nga 240 mijë punëtorë janë 120 mijë punëtorë që janë jashtë vendeve të punës e që ose do ta marrin pagën të përgjysmuar ose nuk do ta marrin fare”, deklaroi ai.
Kryesuesi i Kuvendit të OEK-ut Ruzhdi Kurtishaj tha se mbrojtja e sektorit privat është jetike.
“Sektori provat janë ata që mbajnë mbi supet e tyre mbi 300 mijë të punësuar. Tash është e qartë se situata e krijuar ka shkaktuar panik në treg she kjo reflektohet me rënien e kërkesës për produkte”.
“Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë reflektuar në sektorin privat që bizneset mos të kenë mundësi të ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Mbrojtja e sektorit privat është jetike për shtetin”.Ai tha se anëtarësia e OEK-ut ka kërkuar të sigurohen pagat nga Qeveria për sektorin privat si dhe të shtyhet afati i raportimit financiar prej tre muaj, raporton EO.
“Anëtarësia e OEK-ut kërkoj të sigurohen pagat nga Qeveria për sektorin provat dhe për të gjitha bizneset sepse këto biznese nuk mund të kryejnë punët e veta. Të kompensohen nga Qeveria shpenzimet e qirave”.“Qeveria duhet urgjentisht të krijojë një fond pako stimuluese për sektorin privat po ashtu të merret vendim për shtyrjen e afatit të raportimit financiar”.
“Të hiqet vendimi administrative i kufizimit të parasë së gatshme nga llogarit bankare komerciale e sidomos për institucionet financiare jo bankare. Ne si Odë Ekonomike mbesim pas që primeve tona dhe kërkojmë që Qeveria e Kosovës të merr seriozisht shkresën tonë”.