120 mijë besimtarë falin xhumanë e fundit të Ramazanit në Al-Aksa pavarësisht kufizimeve izraelite

Dhjetëra mijëra besimtarë falën namazin e fundit të xhumasë të muajit të bekuar të Ramazanit në Xhaminë Al-Aksa në qytetin e pushtuar të Kudsit, pavarësisht kufizimeve izraelite, raporton Anadolu.

Rreth 120 mijë muslimanë e falën namazin në Aksa, tha për Anadolu Sheikh Azzam al-Khatib, drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Vakëfeve Islame në Kuds.

Një kontigjent i rëndë i policisë izraelite u vendos në hyrjet, rrethinat dhe rrugicat e qytetit si dhe në portat e jashtme të Xhamisë Al-Aksa.

Izraeli ka kufizuar qasjen e besimtarëve palestinezë në Al-Aksa në vazhdën e tensioneve në rritje në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar për shkak të ofensivës vdekjeprurëse të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.