12 vjet nga shndërrimi i TMK-së në FSK, Kosova ka veç 2 mijë e 700 ushtarë

Këtë javë u bën 12 vite nga shndërrimi i TMK-së në Forcë të Sigurisë së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës është formuar pikërisht më 21 janar të vitit 2009, pas shpërbërjes së TMK-së, apo njohur ndryshe si Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Më 4 mars të vitit 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihet t’i mbërrijë kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës. Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emrin
E pikërisht 12 vite pas shndërrimit të TMK-së në FSK, Forca e Sigurisë së Kosovës ka gjithsej 2 mijë e 700 pjesëtarë.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësi Ibrahim Shala.

Shala ka deklaruar se për momentin në FSK janë rreth 2 mijë e 700 pjesëtarë dhe se përpos kosovarëve, në Forcën e Sigurisë së Kosovës është edhe një numër i konsiduereshëm i pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë.

Tani për tani në FSK komunitetet pakicë janë prezentë me 7.67% prej numrit të përgjithshëm.

Por ka kaluar pak kohë që nga koha kur në FSK  u hap edhe një konkurs i ri për shtimin e numrit të pjesëtarëve të saj.

Nga Ministria e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se procedurat e përzgjedhjes nga konkursi i fundit janë ende në zhvillimin e sipër dhe se ato pritet të përfundojnë në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit dhe se pas kësaj pritet edhe të dihet numri i saktë i pjesëtarëve që do t’i shtohen radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Por cila është mosha mesatare e të gjithë ushtarëve të Kosovës?

Sipas Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, mosha e përcaktuar është prej 18 deri në 55 vjet, por mosha mesatare në FSK është 27 vjet.

Pas përmbylljes së procedurave të përzgjedhjes nga konkursi i fundit i cili u mbajt, nga Ministria e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se konkursi i ardhshëm për të gjithë të rinjtë e interesuar për të qenë pjesë e FSK-së, sipas planit parashihet të jetë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021.

Ndryshe kanë kaluar pak javë që nga momenti kur në Kuvendin e Kosovës u votua ligji që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të kenë të drejtën të marrin pjesë në misione jashtë vendit.

FSK pritet që në pranverën e këtij viti, saktësisht në muajin mars të zbarkojë në misionin e parë paqeruajtës, që nga shndërrimi i saj në ushtri në dhjetor të vitit 2018.

Kontingjenti i ushtarëve të Kosovës do të jetë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas të Ushtrisë amerikane dhe destinacion i parë pritet të jetë Kuvajti. Kjo u bë e ditur nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama , i cili theksoi se në shqyrtim janë dy vende.

“Për vende, i kemi dy opsione, Kuvajtin dhe Irakun, por presim që shumë shpejt ta konfirmojmë këtë. Sado të jetë simbolike, pjesëmarrja jonë është shumë e rëndësishme për FSK-në dhe Kosovën”, pati thënë Rama.

Nga Ministria e Mbrojtjes ndryshe nuk kanë pranuar të japin detaje shtesë lidhur me furnizimin e fundit që FSK ka bërë me armë.

Të njëjtit shkurt thanë se mbi planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, FSK-ja është pajisur dhe vazhdon të pajiset me armatim përkatës për misionin që ka.

“Pas përmbylljes së procedurave të përzgjedhjes së konkursit të fundit, konkursi i ardhshëm/tjetër, sipas planit, parashihet të jetë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021. Mbi Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit FSK-ja  është e pajisur dhe vazhdon të pajiset me armatim përkatës për misionin që e ka”.