Të paktën 12 izraelitë janë lënduar teksa turmat nxituan drejt strehimoreve të bombardimeve pasi një raketë e lëshuar nga Jemeni hyri në hapësirën ajrore izraelite, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite pretendoi se ka interceptuar raketën, por raportohet se mbeturinat kanë rënë në zonën Modi’in në Izraelin qendror.
Korporata e Transmetimeve Publike e Izraelit konfirmoi se sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në gjithë zonën e Tel Avivit, rajonin bregdetar të Mesdheut dhe Kuds.
Banorët kanë raportuar se kanë dëgjuar shpërthime brenda dhe përreth Kudsit.
Institucionet politike dhe të sigurisë izraelite thuhet se po përpiqen të hartojnë një strategji për të ndalur sulmet e Huthive pasi sulmet ajrore të vazhdueshme izraelite në lokacionet kritike në Jemen kanë dështuar të pengojnë grupin.
Raportet e mediave sugjerojnë zhgënjim të gjerë brenda udhëheqjes izraelite mbi kërcënimin në rritje.
Huthit kanë vënë në shënjestër Izraelin si dhe anijet të destinuara drejt apo të nisura nga Izraeli në Detin e Kuq, në solidaritet me popullin palestinez në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 45.500 njerëz që nga tetori i vitit 2023.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë bombarduar gjithashtu objektiva të grupit Huthi në Jemen.