11 vite më parë terroristi Breivik për disa orë vrau 77 persona në Oslo

Më 22 korrik 2011, pasi shpërtheu një makinë të mbushur me eksploziv të parkuar përpara ndërtesave të ministrisë në Oslo, Breivik u nis drejt ishullit Utoya dhe hapi zjarr pa pushim në kampin veror të Partisë së Punës

Kanë kaluar 11 vite nga sulmi terrorist i ekstremistit të djathtë Anders Behring Breivik në Norvegji në vitin 2011, i cili vrau 77 persona, shumica të mitur, për të cilin u dënua me 21 vjet burg, shkruan Anadolu Agency (AA).

Më 22 korrik 2011, pasi shpërtheu një makinë të mbushur me eksploziv të parkuar përpara ndërtesave të ministrisë në Oslo, Breivik u nis drejt ishullit Utoya dhe hapi zjarr pa pushim në kampin veror të Partisë së Punës.

Tetë persona u vranë në sulmin me bombë në Oslo dhe 69 persona u vranë në ishullin Utoya ndërsa 319 të tjerë u plagosën.

Breivik, i cili u kap në vendin e ngjarjes, u dënua me 21 vite burg, dënimi më i gjatë që nga heqja e dënimit me vdekje në vend, por ende ekziston mundësia që dënimi të ndryshohet në burgim të përjetshëm.

Breivik, i cili mori pseudonimin “vrasësi norvegjez”, tha se aktet terroriste ishin të domosdoshme për “të mbrojtur vendin e tij nga muslimanët”.

– Ai u ankua për kushtet e burgut

Breivik, i cili kërcënoi se do të hynte në grevë urie në vitin 2015 për t’u ankuar për kushtet në burgun ku po mbahej, ngriti padi kundër shtetit norvegjez në vitin 2016 me pretendimin se kishte shkelur dy dispozita të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Breivik, i cili pasi që iu hoqën prangat bëri përshëndetjen naziste në sallën e gjyqit ku po mbahej seanca, tha se kushtet e burgut ishin “torturë” dhe argumentoi se mbajtja në izolim nga bota e jashtme ishte një shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas marrëveshjes zyrtare mbi standardet dhe praktikat, kushtet e burgut të Breivik ishin “të mira brenda kufijve të lejuar”, thuhej në deklaratën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Përveç kësaj, Gjykata e Qarkut të Oslos njoftoi vendimin e saj për ankesat e Breivik-ut më 20 prill 2016.

Gjykata norvegjeze vendosi në favor të vrasësit masiv Anders Bering Breivik, i cili u ankua për kushtet çnjerëzore në burg, por hodhi poshtë pretendimet se e drejta e tij për jetën private dhe familjare ishte shkelur.

Qeveria norvegjeze apeloi vendimin e Gjykatës së Qarkut të Oslos më 26 prill të po këtij viti, e cila vendosi se autoritetet kishin shkelur të drejtat e njeriut të Breivik.

Në rastin e “shkeljes së të drejtave të njeriut” të cilin Breivik e fitoi kundër qeverisë, Gjykata e Lartë e Norvegjisë vendosi më 1 mars 2017 se të drejtat e Breivik nuk ishin shkelur. Kështu, vendimi i gjykatës themelore në favor të kushteve të burgut të Breivik-ut u rrëzua nga Gjykata e Lartë.

– Kërkesa e tij refuzohet nga GJEDNJ

Në qershor 2018, Breivik apeloi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), duke pretenduar se kushtet në të cilat po mbahej shkelnin të drejtat e tij të njeriut. Megjithatë, gjykata e hodhi poshtë kërkesën e terroristit.

Në deklaratën e gjykatës thuhej se kushtet e paraburgimit të Breivik-ut nuk shkelnin asnjë nen të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut të vitit 1950, prandaj u vendos që nuk kishte nevojë të ngrihej padi.

– Kërkesa e Breivik-ut për lirim me kusht u refuzua këtë vit

Ekstremisti i djathtë Anders Behring Breivik më 18 janar doli në gjykatë duke kërkuar lirim me kusht.

Ekspertët thanë se Breivik nuk kishte treguar ende asnjë shenjë pendimi për krimin e tij ndërsa familjet e viktimave të vrasjes masive shprehën shqetësimin se Breivik po e përdorte seancën për të transmetuar pikëpamjet e tij ekstremiste.

Psikiatrja Randi Rosenqvist, e cila ishte në cilësinë e ekspertes në gjykatën ku Breivik kërkoi lirimin me kusht, shprehu mendimin se i burgosuri ende paraqet rrezik për shoqërinë.

Më 1 shkurt, gjykata norvegjeze hodhi poshtë kërkesën e Breivik-ut për lirim me kusht.

– Manifesti racist

Gjatë qëndrimit në burg, Breivik kreu shkollimin e mesëm në Shkollën e Biznesit në Oslo, të cilën e ndërpreu në vitin 1998 dhe diplomoi. Më pas u regjistrua në shkencat politike në Universitetin e Oslos dhe filloi arsimin universitar.

Manifesti racist i titulluar “Deklarata Evropiane e Pavarësisë 2083”, që përbëhet nga tekste raciste të cilin e kishte shkruar terroristi norvegjez në burg, u publikua dhe u shit në internet përmes faqes së internetit Adlibris në 2019.

Pamundësinë e parandalimit të aksioneve terroriste të Breivik-ut, në të cilat u vranë 77 persona në sulmet në Oslo dhe ishullin Utoya më 22 korrik 2011, ekspertët ia atribuojnë asaj se policia norvegjeze kryesisht ishte fokusuar vetëm në sulmet e muslimanëve. /aa