Ballina Lajmet Kosovë 11 muajt e fundit nga Kosova nuk ka asnjë shkuarje në luftërat...

11 muajt e fundit nga Kosova nuk ka asnjë shkuarje në luftërat e huaja

Në kuadër të vizitave nëpër komuna të Kosovës për siguri, ministri i Brendshëm, Skender Hyseni sot në komunën e Gjilanit theksoi se Kosova brenda vitit të fundit është vlerësuar për parandalimin e dhunës së ekstremizmit dhe terrorizimit.

Pavarësisht këtyre sukseseve të arritura në këtë fushë, ministri Hyseni theksoi se nuk bën të ndihemi komod, sepse sipas tij, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë sëmundje tepër tinëzare dhe nuk e dihet asnjëherë se ku do të godasë, edhe mund të konstatohet se Kosova i ka punët mirë nga aspekti i shifrave dhe të dhënave.

Hyseni theksoi se përkundër gjendjes së mirë kjo duhet t’i mbajë institucionet e shtetit të mobilizuara dhe shumë të vëmendshme.

“Pa dallim përkatësisë fetare apo etnike, radikalizmin e cilësoj si ekstremizëm të dhunshëm dhe terrorizëm. Mirëpo, kjo nuk guxon të na bëjë që t’i mbyllim sytë para të vërtetës që në pjesën dërmuese të rasteve kur shtypet butoni dhe merren qindra jetë njerëzish të pa fajshëm, fëmijë dhe gra – dikush thotë Allahu-ekber. Nuk mund t’i mbyllim sytë dhe veshët para këtij fakti. Kjo assesi nuk duhet të na bëjë që të themi se feja islame është fe jo e mirë, përkundrazi feja islame është e pastër, nuk predikon dhunë, predikon paqe mes njerëzve”, tha Hyseni.

Ai përsërit se janë bërë gati 11 muaj se nga Kosova nuk ka asnjë shkuarje në luftërat e huaja.

Sipas tij, kjo vjen si rezultat në rend të parë i angazhimit të secilit prej qytetarëve, policisë dhe institucioneve tjera relevante pa përjashtuar edhe predikuesit e fesë islame.

Ndërsa në këtë takim Hyseni tha se dhuna ndaj objekteve të kultit në Gjilan është e papranueshme dhe duhet parandaluar, siç ishte rasti i xhamisë në fshatin Velekincë.

Në këtë diskutim shqetësues për ministrin Hyseni ishte edhe trafikimi me narkotikë.

Ai tha se trafikantët për çdo ditë po bëhen më të fuqishëm financiarisht dhe më të rrezikshëm për shoqërinë.

Edhe komandantja e policisë në Gjilan, Elmina Mahmuti vlerësoi së është në rritje numri rasteve të konfiskimit të drogave në këtë komunë. Kjo dukuri sipas saj është në rritje.

Ajo tha se sa i përket rasteve për shkuarjen e të rinjve në Siri ka rënie dhe nuk ka probleme ndër fetare përveç eksesit në xhaminë e Velekincës.

Exit mobile version