Koha kalon, kujtimet ruajnë qetësinë e mallit, gjurmët e diturisë, të përhapura në faqe librash, vazhdojnë të rrezatojnë në çdo shfletim, duke ngritur në piedestalet e nderimit dhe të mirënjohjes, ditë pas dite e kohë pas kohe, imazhin e Dijetarit, Edukatorit, Mësuesit, Shembullit të udhëzuesit drejt moralit të fesë së tij dhe traditave të të parëve, kalorësit të mejdaneve të dijes e trashëgimisë së lidhur brez pas brez e të dalë nga gjokset e burrave besnikë; H. Vehbi Sulejman Gavoçi!
Nuri i shfaqjes së Hoxhës, ditë pas dite shkëlqen, si Diell që na ngroh, edhe pse shpeshherë, si pa dashje e harrojmë, a edhe e neglizhojmë praninë e tij; kujtohemi ta kërkojmë, vetëm kur bie shi, a kur qiellin e mbulojnë re ngjyrë gri.., ndonëse ai është përherë aty, si një bekim e mëshirë e Allahut për ne! Edhe pse drita e tij është përherë aty, tamam si atë ditë të parë të takimit tonë, e atë ditë të fundit të telefonatës, që u mbyll me bekimet dhe lutjet e tij prindërore!
Vitet kalojnë, por lidhja e zemrës nuk e ka humbur fillin, nuk e ka thyer besën, as e ka shkelur premtimin.., vazhdon me bindje e dashuri, durim e sakrificë të mbajë në shpirt torçën e amanetit, duke u përballur me lloj-lloj shfaqjesh e fenomenesh, përherë në besë e me lutje për t’a forcuar Zoti në çdo rrahje e frymë!
Vitet kalojnë, madhështia e pranisë së Edukatorit vazhdon të dëshmojë mirësinë e Allahut ndaj nesh, fatmirësinë e takimit, bukurinë e shkëndijës së parë të ndezur, që nga momenti i kontaktit të parë të syve dhe, pa dyshim, rrugëtimin me bindje në atë rrugë të vizatuar nga zemra e të Bardhit Hoxhë, këshillat e të cilit na mëkuan për të mos u dorëzuar në rrugëtimet ton të dijes dhe urtësisë..!
Emri i Hoxhës vazhdon të përmendet përherë e më shumë, plot dinjitet e krenari, në një kohë krizash, dilemash e padrejtësishë; në kohët, kur imazhi i Prijësit është mjegulluar e, ku duar të shumta janë përzier për të devijuar rrugën, imazhin, mesazhin, duke e zëvendësuar portetin e Mësuesit tradicional me copëza të ngjitura portretesh artificiale, që s’formojnë dot një imazh..!?
Bukuria jusufike e shfaqjes Tënde, i Shtrenjti Mësues, mbetet kible për zemrën, dritësim për çdo hap, udhëzim për mendjen e, mbi të gjitha borxh i shpirtit, deri në ditën e kijametit!
Rahmet të pastë Shpirti, i Dritshmi Hoxhë Vehbi Sulejman Gavoçi!
Si djalë, Muhamed B. Sytari.
19 shkurt…