Pjekja e ëmbëlsirave dhe e biskotave në veçanti tingëllon e lehtë, por po aq e lehtë është edhe të gabosh.
Sipas të dhënave ku bazohet AgroWeb.org janë identifikuar 10 gabime që çdo amvisë mund të bëjë në përpjekje për të krijuar ëmbëlsirën perfekte.
Matja e Miellit
Ekspertët thonë se nëse e merrni direkt miellin nga qesja duke përdorur lugë, rrezikoni që receta juaj të ketë të paktën 30 përqind më shumë miell seç duhet.
Mënyra më e mirë për t’iu përmbajtur recetës është të përdorni një peshore dixhitale që tregon sasinë e duhur në gramë.
Lloji i Gabuar i Miellit
Shumica e recetave të ëmbëlsirave kërkojnë miell të tipit 00, që përdoret për shumë gatime.
Nëse përdorni miell për përgatitjen e bukës, ëmbëlsirat ose biskotat do të jenë shumë të forta.
Nëse përdorni miell për kek ose byrek, biskotat do të thërrmohen lehtë. AgroWeb.org ju këshillon që t’i përmbaheni recetës gjithmonë.
Punimi i Tepruar i Brumit
Mielli përmban gluten, një proteinë që forcohet shumë gjatë përpunimit të brumit.
Punimi i tepërt i brumit është një gabim që duhet shmangur. Brumi duhet përpunuar pak, saktë dhe me butësi.
Përzierja me Dorë e Gjalpit dhe Sheqerit
Përzierja e sheqerit dhe gjalpit është thelbësore për krijimin e një biskote perfekte.
Të dyja nuk duhen përzier me dorë por vetëm me lugën përkatëse.
Gjalpi Direkt Nga Frigoriferi
Nëse gjalpi është shumë i ftohtë, biskotat do të jenë të ngurta.
Gjalpi duhet të jetë i freskët por jo i akullt apo shumë i ftohtë.
Ai duhet të qëndrojë në temperaturë ambienti për 15 minuta dhe jo më shumë, përpara se ta përzieni me sheqerin.
Gjalpi nuk duhet të jetë as shumë i butë sepse nuk do të lidhet mirë me përbërësit e tjerë.
Pluhuri Pjekës i Vjetëruar
Pluhuri pjekës mundëson fryrjen e ushqimeve dhe ëmbëlsirave të pjekura.
Nëse pluhurin pjekës nuk e keni përdorur për shumë muaj, ai do të humbë fuqinë e vet.
Sigurohuni që pluhuri pjekës të mos jetë i vjetëruar ose të ketë qëndruar në dollap për më shumë se gjashtë muaj.
Tava e Zezë
Nëse tava pjekëse ka një ngjyrë të errët ajo do të ndikojë për keq tek biskotat.
Ngjyra e zezë përthith më shumë nxehtësi dhe rrjedhimisht do të djegë biskotat më shpejt.
Yndyrosja e Tepërt
Shkrirja e gjalpit dhe sheqerit në furrë mundëson që biskotat të përhapen dhe të marrin formën përfundimtare gjatë pjekjes.
Por yndyra e tepërt e pengon këtë. Biskotat duhen pjekur mbi një letër pjekjeje që duhet vendosur në tavë.
Ndezja e Furrës
Furra duhet ndezur paraprakisht ndërkohë që jeni duke përgatitur biskotat. Në temperaturën e duhur, biskotat piqen ashtu siç duhet.
Hapja e Shpeshtë e Furrës
Furra nuk duhet hapur shpesh ndërkohë që piqni biskotat. Sa herë që ajo hapet, ka luhatje temperature që ndikon në pjekjen e biskotave.