BallinaLajmetKosovëShpend Ahmeti: S’është paraparë ndërtimi i xhamisë në Dardani (Video)
Shpend Ahmeti: S’është paraparë ndërtimi i xhamisë në Dardani (Video)
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në mars të këtij viti, kishte deklaruar se në dy dokumentet mbi të cilat lëshohen lejet për ndërtim – Plani Urban dhe Plani Zhvillimor – nuk është paraparë ndërtimi i xhamisë në lagjen Dardania në Prishtinë. Atëkohë, Kryetari i Prishtinës kishte kërkuar ndihmën e shoqërisë civile dhe banorëve për të ndërhyrë në projektin e Xhamisë së Madhe.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, para katër muajsh, kishte sqaruar se nuk mund të ndërtohet Xhamia e Madhe në lagjen Dardania në Prishtinë. Kishte arsyetuar se në asnjë dokument të Komunës s’ishte paraparë ndërtimi i objektit fetar për komunitetin musliman.
“Duhet kuptuar se ne japim leje sipas dy dokumenteve: Planit Zhvillimor Urban dhe Planit Rregullativ. Në asnjërin prej këtyre dy dokumenteve nuk është e paraparë që xhamia të ndërtohet aty”, kishte thënë Ahmeti, për ekonomiaonline.
Atëkohë, Shpend Ahmeti kishte kërkuar reagimin e banorëve dhe të shoqërisë civile, duke iu kërkuar të përfshihen në debat.
Por, pavarësisht kësaj, Bashkësia Islame ka paralajmëruar se Xhamia do të ndërtohet shpejt. Kryemyftiu Naim Tërnava ka thënë se nëse Komuna nuk lëshon leje, atëherë, objekti i komuniteti musliman do të ndërtohet pa procedura.
Disa anëtarë të shoqërisë civile, e disa banorë të lagjes Dardania, kanë nënshkruar një peticion, duke kërkuar të mos ndërtohet xhamia në afërsi të Postës së Kosovës.
“Së këndejmi, ne si nënshkrues të këtij dokumenti, nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por jemi gjithsesi të interesuar për një proces ligjor, gjithëpërfshirës dhe profesional për kryeqytetin tonë”, thuhet ndër të tjera në peticion.