​S’ka parregullsi që cenojnë integritetin zgjedhor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Në komunën e Podujevës dhe atë Mitrovicës së Veriut deri më tani nuk janë evidentuar parregullsi që mund të cenojnë integritetin zgjedhor.

Megjithatë edhe në këto zgjedhje janë shfaqur problemet e vjetra me evidentimin e personave të vdekur në listat zgjedhore. Ndërkohë në Podujevë në disa nga qendrat më të mëdha të votimit nuk po respektohen masat anti-Covid 19.

Këto janë të gjeturat që janë evidentuar deri më tani nga Demokracia në Veprim, që po i monitoron zgjedhjet.Eugen Cakolli nga DnV tregon për KosovaPress disa nga parregullsitë që janë shfaqur në Podujevë.

“Deri më tani kemi parë se në përgjithësi procesi i votimit është duke u zhvilluar i qetë dhe në rregull, pa probleme që mund të cenonin integritetit zgjedhor. Ndonëse janë evidentuar sikurse zakonisht parregullsi’[…]janë evidentuar gjetje të personave të vdekur në lista të votimit. Kjo është njëra nga sfidat kryesore që shoqëron zgjedhjet në Kosovë. Karakteristike për këto zgjedhje ka qenë edhe çështja e letërnjoftimeve ku ne si DNV kemi hasur në disa raste ku nuk janë lejuar të votojnë për shkak se letërnjoftimet kanë qenë të skaduar. Me ç’rast MPB-ka si institucion përgjegjës ka deklaruar se nuk ka materiale për shtypjen e tyre. Përkundër që votuesit kanë pasë dokumente që kanë aplikuar, disa prej tyre nuk janë lejuar të votojnë”, tha ai.Ai shprehet edhe kritik për mosrespektim të masave anti-Covid nga komisionerët e partive politike.

“Ndër më të zakonshmet kanë të bëjnë më mos mbajtjen e maskës në mënyrë adekuate, sidomos nga komisionerët në vendvotime. Ndërsa në shumë raste nuk janë përfillur procedurat e votimit në bazë të manualeve për parandalimin e pandemisë. Ka pasur raste kur votuesit janë lejuar të votojnë pa pasur maska, ndërsa jashtë vendvotimeve nuk është mbajtur fare distanca”, tha ai.Ndërkaq, jep informata edhe për procesin zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.

“Ngjashëm si komunën e Podujevës edhe në Mitrovicë të Veriut ballafaqohet me probleme të njëjta. Ndonëse vëzhguesit tanë atje kanë raportuar se masat kundër pandemisë janë duke respektuar më shumë sesa në Podujevë. Mbase për shkak të numrit me të vogël të votuesve që janë atje dhe daljes më të ulët krahasuar me trendët që jemi mësuar t’i kemi në këtë komunë”, tha ai.Për shkak se dy ish kryetarët e komunave të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut kanë marrë poste në ekzekutiv sot po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna.