Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani u është drejtuar ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” për të cilët ka thënë se po dëshmojnë profesionalizëm të lartë.
“Ushtria e Kosovës po shndërrohet në ushtri moderne falë bashkëpunimit me aleatët perëndimorë veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.“Kujtojmë me krenari rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharit dhe familjes Jashari. Shpreh mirënjohje të veçantë për të gjithë ushtarët tanë e veçanërisht për dëshmorët që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot”, shtoi Osmani.
Përkundër sfidave për shkak të pandemisë, Osmani tha se ky vit ishte i suksesshëm në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, e cila ka dëshmuar gatishmërinë e saj për t’i shërbyer vendit dhe paqes me profesionalizëm.“Ju ishit gjithnjë të gatshëm t’i dilni në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të vendit, duke mos kursyer asgjë nga vetja”, tha Osmani.